“Nëse Prishtina bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, Serbia duhet të shpallë neutralitet politik, ashtu siç e ka shpallur edhe ushtrinë. Nëse nuk mund të zgjedhim armiqtë tanë, le të zgjedhim së paku miqtë tanë”, ka thënë Aleksandar Vulin, duke komentuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, transmeton Demokracia.com.
“Çfarë mendojnë realisht shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për Serbinë, do të tregohet me votën e tyre për kërkesën e Prishtinës për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës. Nuk duhet të presim edhe 20 vjet për të ditur nëse BE-ja e dëshiron Serbinë në anëtarësimin e saj, mjafton të votojmë pro apo të votojmë kundër pranimit të territorit në organizatën e përbërë nga shtetet. Deri më tani kemi mësuar se nënshkrimi i Bashkimit Evropian vlen aq sa edhe marrëveshja e Brukselit, por tani është rasti të shohim se sa vlen fjala e Shteteve të Bashkuara”, tha Vulin.
Sipas tij, vetë njoftimi se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës tashmë është shkelje e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe “Prishtina ose do të ndëshkohet dhe ndalohet, ose do të tregohet se çdo gënjeshtër është e lejuar kundër Serbisë dhe se serbët nuk kanë as të drejta e as drejtësi”.
Kosova të enjten ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Nëpërmjet një video-adresimi, ministrja Gërvalla, ka konfirmuar se ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke thënë se shpreson për një përgjigje pozitive.
“Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Paralementare dhe Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, edhe Daniel Holtgen, zëdhënës i Këshillit të Evropës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, e ka konfirmuar se kanë pranuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
“Aplikimi është pranuar dhe do të dërgohet te Komiteti Ministror në linjë me statutin e Këshillit të Evropës”, thuhet në përgjigjen e Holtgenit, i cili nuk dha detaje të tjera në lidhje me procedurat e mëtutjeshme të shqyrtimit të aplikimit. /Demokracia.com/