Zyra Kombëtare e Auditimit ka nxjerrë raportet e auditimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020).
Sipas ZKA-së, Korporata Energjetike e Kosovës nuk ishte siguruar që fondet dhe burimet e saj ishin përdorur në mënyrën më ekonomike, duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit.
Sipas raportit të ZKA-së, KEK-u kishte zhvilluar disa aktivitete të prokurimit në atë mënyrë që kishte reduktuar apo eliminuar konkurrencën në mes të operatorëve ekonomik ose kishte diskriminuar në dëm ose në të mirë të një ose më shumë operatorëve ekonomik.
“Korporata Energjetike e Kosovës kishte lidhur numër të konsiderueshëm të kontratave të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, duke i arsyetuar me situata të emergjencave ekstreme përderisa rrethanat që e kishin krijuar këto situata i atribuohen neglizhencës ose lëshimeve të saj. Për pasojë ishin lidhur kontrata të shumta të negociuara, nga të cilat KEK-u kishte pasur shpenzime shtesë prej 739 mijë euro”, thuhet në raport.
Në raport thuhet se aktivitetet e prokurimit janë realizuar kryesisht me negocim të çmimit me ç’rast Korporata Energjetike e Kosovës, përveç që nuk ka siguruar transparencë në prokurim, ne disa raste ka paguar më shtrenjtë për mallrat dhe shërbimet e blera.
Sipas ZKA-së, menaxhimi jo i duhur i kontratës, mungesa e objektivave të qarta dhe mungesë e analizave të të dhënave që ishin në dispozicion për menaxherin e kontratës si dhe për njësinë kërkuese, ishte faktor kryesor për mungesë të informatave lidhur me kostot/përfitimet nga aktiviteti i prokurimit. Mungesa e këtyre informatave kishte pamundësuar një vendimmarrje më të mirë.
“Burimet në dispozicion nuk janë shfrytëzuar në mënyrë racionale për shkak të mos grumbullimit të nevojave për blerje që ka çuar në numër të madh të aktiviteteve të prokurimit – gjithsej 34 kontrata për artikuj të ngjashëm gjatë viteve 2018-2020. Mesatarisht ishin nënshkruar 11 kontrata në vit për blerje të kushinetave. Me një koordinim më të mirë mes njësive kërkuese dhe zyrës së prokurimit numri i kontratave do të mund të reduktohej dukshëm. Do të reduktohej numri i stafit të angazhuar në zhvillim të aktiviteteve të prokurimit, në vlerësim të ofertave dhe në menaxhim të kontratave. Reduktimi i aktiviteteve të prokurimit për kushineta ka gjasa t’ua reduktojë kostot edhe ofertuesve në tenderët e KEK-ut. Kjo mund të reflektohet me oferta më të lira, rrjedhimisht më ekonomike për KEK-un”, thuhet tutje në raportin e ZKA-së.
Po ashtu, në raport thuhet se disa aktivitete të prokurimit kishin rezultuar jo efektive për shkak të qasjes jo të duhur e prokurimit.
“Së paku 81 mijë euro janë të bllokuara në stoqe me afat të skaduar të garancisë, (periudhë garantuese 12 mujore). Bazuar në analizën e katër kontratave për blerje të kushinetave, rezulton se rreth gjysmës së kushinetave të blera iu skadon afati i garancisë ndërsa janë ende në depo, sepse nuk hyjnë në përdorim as 12 muaj pas blerjes. Kjo mund të paraqesë problem sidomos nëse kushinetat e blera janë me defekte”, thuhet në raport.