Dy nëna me dy fëmijë nga Ukraina kanë arritur në Ulqin, të cilat kanë gjetur strehë te familja e Bardhë Pultit, raporton Express.
Pas arritjes së tyre, Bardha u ka bërë apel të gjithë ulqinakëve që mund t’i ndihmojnë këto dy nëna dhe fëmijet e tyre, të lajmërohen dhe të sjellin çkado që kanë mundësi.
“M’kanë thanë që janë dy nana me dy fëmijë, a ke mundësi me i pranu? Normal, që i kam pranu. Kanë ardh këtu te unë, janë vendosun. Këta nuk kanë pas kurgjë, vec me një kerr kanë ardh dy nanat me dy fëmijë. Unë i apeloj të gjithë ulqinakët, kush e ka mundësinë, që ka qejf të kontribuoj për këta dy nana dhe fëmijët e tyre, mundet lirisht të vijnë këtu në recepsion dhe t’i prujnë çkado që ua merr mendja që munden me i ndihmu”, ka thënë Bardha.
Ndërkohë, dy refugjatet kanë falendëruar shumë Bardhën që u ka dhënë strehë, derisa kanë folur për luftën në vendin e tyre.
“Falenderojmë Bardhën që na pranoi, na dha strehë. Ishte shumë e rrezikshme të qëndrojmë në Ukrainë. Dje një raketë fluturoi edhe në Ukrainën Perëndimore, është e rrezikshme të qëndrojmë edhe me fëmijët atje. Na mungojnë shumë të afërmit tanë që kanë qëndruar atje. Kemi frikë për ta”, ka thënë njëra prej tyre.
“Ajo na ndihmoi të fshihemi nga lufta dhe ne e vlerësojmë shumë. Faleminderit që na ndihmoni! Jo vetëm një çati mbi kokë, por edhe me ushqime veshje e lodra për fëmijët. Më dhemb zemra për Ukrainën dhe popullin tonë”, ka deklaruar tjetra refugjate./Express