Forcat speciale të NATO-s, mes të cilëve edhe ato amerikane Navy SEAL, po zhvillojnë një stërvitje të madhe ushtarake në Detin e Zi, rreth 150 kilometra larg Ukrainës, ku luftë vijon prej gati 3 muajsh.
Një pjesë e misionit të trupave amerikane është çlirimi i një anijeje të marrë peng. Në stërvitje po marrin pjesë edhe forcat speciale rumune. Edhe pse gjithçka është një inskenim, bllokimi i rrugëve detare të tregtisë në Detin e Zi është diçka reale, sidomos që prej shtimit të forcave ruse në brigjet jugore të Ukrainës.
Lufta ka mbërritur shumë pranë zonës ekonomike ekskluzive të Rumanisë, në ishullin e Gjarprit, që ndodhet vetëm 45 kilometra larg brigjeve rumune. NATO thotë se është përpjekur të ndihmojë Ukrainën, që nuk është pjesë e aleancës, ndërkohë që synon të mos lejojë përhapjen e konfliktit edhe në territore dhe shtete të tjera.
“Këto ushtrime janë edhe më shumë të rëndësishme tani”, thotë për CNN një oficer komandues, emri i të cilit nuk publikohet për arsye sigurie. “Është shumë e rëndësishme që të gjithë të tregojmë se nuk kemi frikë”.
Në këtë stërvitje përfshihen 30 shtete dhe më shumë se 3300 efektivë të forcave speciale. Në vitet e kaluara, në të kanë marrë pjesë edhe forcat ukrainase, edhe pse nuk janë pjesë e NATO-s, ndërsa Rusia, thuajse gjithmonë dërgon mjete dhe trupa pasi ftohet si vend vëzhgues.
Stërvitje të ngjashme, trupat e NATO-s kanë realizuar këtë vit edhe në veri të Norvegjisë, ku sërish Rusia ishte e ftuar si vëzhguese, por zgjodhi të mos merrte pjesë.