Ish-luftëtari i UÇK-së, Xhevdet Qeriqi që tash përfaqëson edhe shoqatën e Invalidëve të Luftës, thotë se në Semetisht dhe Budakovë, që përmenden si lokacione të dyshuara nga Specialja, nuk kanë qëndruar krerët e UÇK-së.
Qeriqi nnë RTV Dukagjini, thotë se pos komandantëve lokal asnjëherë në vendet e përmendura nga Gjykata Speciale nuk janë parë drejtuesit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Unë kam vepruar në një kohë në pjesën e Shtimes. Për një kohë të gjithë në fillim të luftës e kemi mbajtur nën kontroll magjistralen Prishtinë-Shtime-Prizren. Gjatë kësaj kohe sa unë kam qëndruar jo këta që po gjykohen por asnjë eprorë të lartë të UÇK-së nuk e kam takuar në atë zonë. Të gjithë këta i kam takuar pas lufte. Edhe pse ka qenë zona më e sigurt për të kaluar në Zonën e Nerodimes, jo vetëm unë po asnjë ushtarë që ka patrulluar me ndërrime nuk ka perënduar se ka parë në atë zonë këta që po gjykohen”, tha ai.
Ai thotë se është i bindur që për këto pika të aktakuzës, këta që po gjykohen në Hagë do të dalin të pafajshëm.
Edhe Safet Syla, ish kolonel, ka thënë se pavarësisht prezencës së tij në vendet ku pretendohet të jenë kryer këto krime, nuk ka dëgjuar asgjë në lidhje me akuzat.
“Kam ngelur i habitur me këto dy aktakuza të reja”, ka thënë ai.
Në anekset e aktakuzës, pa përmendur emra, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së i kanë shkaktuar viktimave lëndime fizike e psikike.
Asnjë nga të akuzuarit e Gjykatës Speciale nuk e ka pranuar fajësinë, të gjithë, pa përjashtim, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues. /Gazeta Papirusi/