Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka thënë se Projektligji për pagat shumë shpejt do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, por ai është skeptik se do të kalojë shpejt për shkak të mospajtimeve mes sektorëve të ndryshëm.
Pupovci ka folur edhe për paralajmërimin e SBASHK-ut për grevën e 12 majit në arsim.
“Ne me SBASHK-un kemi dialog të vazhdueshëm dhe kemi pasur dialog edhe në lidhje me paralajmërimet për grevë, sepse ato ndërlidhen me aprovimin e Ligjit për paga, i cili vërtetë është duke u vonuar, por jo për shkak të mos punës, por për shkak të kompleksitetit të madh të çështjes të cilën e mbulon”, ka thënë ai në Tëvë1.
Lidhur me grevën e paralajmëruar për 12 maj, tha se nuk ka asnjë arsye për një grevë të tillë.
“Konsiderojmë që për një grevë të tillë nuk ka asnjë arsye të vetme, sepse kompleksitetin e problemit po e dimë të dyja palët dhe nuk kemi nevojë ta paralajmërojmë njëra-tjetrën, sepse asnjëri prej nesh nuk mund të bëjë më shumë se që është bërë deri tani për ligjin e pagave”, deklaroi Pupovci.
Ai tha se Ligji për paga do të vijë shumë shpejt në procedurë parlamentare, por sipas tij nuk do të kalojë shpejt për shkak të mospajtimeve mes sektorëve të ndryshëm.
“Dhe besoj se ai ligj do të vijë shpejt në procedurë parlamentare, por nuk besoj që do të kaloj shpejt për shkak të mospajtimeve që ekzistojnë. Ato mospajtime nuk do të jenë aq mes deputeteve, por në mes të sektorëve të ndryshëm, të cilët konsiderojnë se pagat e tyre duhet të jenë të tilla”, tha Pupovci.
Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ditë më parë gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike ka deklaruar se Projektligji i Pagave është në fazën e vlerësimeve të fundit në Ministrinë e Financave.
Sa i përket vonesave për miratimin e këtij Projektligji, Sveçla tha se janë bërë me arsyen e vetme – “po punojmë për një ligj që mbulon gjithë sferën e nevojave të secilit institucion, ku pastaj do të sillte një lloj barazie”.