Rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme në kryeqytet ka vijuar edhe në tremujorin e parë të këtij viti.
Në tremujorin e parë 2022, çmimet mesatare përllogariten në 1,143 Euro/m2, me një rritje prej 3.2% në krahasim me fundin e vitit të kaluar. Në zonën brenda unazës çmimet po arrijnë mesatarisht 1,300 Euro/m2. Në zonën e Bllokut, çmimet i kanë kaluar 1,600 euro/m2. Edhe jashtë zonës së Unazës, mesatarisht një apartament kushton rreth 1 mijë euro/m2.
Të dhënat u bënë të ditura nga “Keydata Albania”, është indeksi i parë privat në Shqipëri, i cili vjen si një produkt i ofruar nga shoqëria Çelësi sh.p.k me mbështetjen e programit BAS (Business Advisory Services) të ofruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Statistikat përshkruese të çmimeve mesatare reale dhe mediane të shitjes së apartamenteve në Tiranë janë bërë sipas grupimit që Keydata i ka bërë 11 zonave administrative të qytetit të Tiranës në 3 ndarje të mëdha zonale: brenda Unazës së vogël, Bllok dhe jashtë Unazës së vogël, duke ndjekur të njëjtën linjë prezantimi si në publikimet e mëparshme.
Në Grafikun 1 më sipër paraqitet çmimi mesatar real i shitjes së apartamenteve në Tiranë në Euro/m2 për periudhën e tremujorëve 2020-2022, shprehur në vlerë reale (i deflatuar me normën e inflacionit) si dhe çmimet mediane (vlera e mesit). Nga tremujori i parë 2020 deri në tremujorin e parë 2022, niveli i çmimeve mesatare reale në Tiranë ka lëvizur brenda intervalit 1,030 Euro/m2 – 1,143 Euro/m2, ndërsa çmimet mediane brenda intervalit 984 Euro/m2 në 1,059 Euro/m2.
Në tremujorin e parë 2022, çmimet mesatare dhe mediane përllogariten në 1,143 Euro/m2 dhe 1,059 Euro/m2, respektivisht. Krahasimisht me tremujorin e fundit 2021, në këtë tremujor, çmimet mesatare reale të shitjes së apartamenteve në Tiranë janë rritur me 3.25%, ndërsa çmimet mediane janë rritur me 3.62%.
Ҫmimet mesatare, në ndryshim nga indeksi i çmimeve, përllogariten në proporcion me numrin e apartamenteve që janë në shitje në një periudhë të caktuar. Kështu, një rritje apo rënie në çmimet mesatare, jo domosdoshmërisht duhet të interpretohet me një dukuri që mund të ketë ndodhur të tregun e pasurive të paluajtshme. Ajo mund të interpretohet me faktin se në një moment të caktuar, oferta për apartamente është rritur ose ulur.
Në Grafikun 2, paraqitet çmimi mesatar real dhe median i shitjes së apartamenteve në Tiranë (Euro/m2) në zonën brenda Unazës së vogël për periudhën e tremujorëve 2020-2022. Siç mund të vihet re nga grafiku, çmimi mesatar real i shitjes në këtë zonë, ka ardhur duke u rritur, në intervalin 1,128 – 1,269 Euro/m2. Çmimet mediane luhaten në intervalet 1,074 – 1,195Euro/m2.
Tendenca rritëse e çmimeve në zonën brenda Unazës së vogël vihet re në tremujorin e parë 2022. Në këtë tremujor, çmimi mesatar përllogaritet në 1, 269 Euro/m2; çmimi median përllogaritet në 1,195 Euro/m2. Krahasuar me tremujorin e fundit 2021, në këtë tremujor, çmimet mesatare janë rritur me 3.27% dhe çmimet mediane me 2.75%.
Në Grafikun 3 është paraqitur kurba e evoluimit të çmimit mesatar real dhe medianës së çmimeve (Euro/m2) të apartamenteve në zonën e Bllokut. Në këtë zonë, çmimet mesatare të shitjes kanë pësuar një luhatje të lehtë, krahasuar me zonën brenda Unazës, duke variuar në intervalin 1,462 Euro/m2-1,626 Euro/m2 ndërsa çmimet median brenda intervalit 1,387 Euro/m2 -1,554 Euro/m2.
Një rënie e nivelit të çmimeve mesatare reale vihet re në tremujorin e dytë 2020, 13.7%, shoqëruar më pas me një rritje me të madhe me 20.7% krahasuar me një tremujor më parë, një rënie me 3.2 % nga tremujori i katërt 2020 në tremujorin e parë 2021 shoqëruar më pas me një rritje me 6.2% dhe sërish një rritje me 2.9% nga tremujori i dytë në tremujorin e tretë 2021, me një rënie nga tremujori i tretë në të katërt me 1.4%.
Përsa i përket periudhës aktuale, në këtë tremujor të parë 2022, mesatarisht një apartament në zonën e bllokut shitet në vlerën 1,574 Euro/m2, çmimi median përllogaritet në vlerën 1,484 Euro/m2. Çmimet mesatare në këtë tremujor krahasuar me tremujorin e katërt 2021 janë ulur me 1.8% ndërsa çmimet mediane janë ulur me 1.24%.
Në Grafikun 4 paraqitet evoluimi i çmimit mesatar real dhe median të shitjes në Euro/m2 të apartamenteve në zonën jashtë Unazës së vogël. Çmimet mesatare reale në këtë zonë variojnë nga një interval 959 Euro/m2 deri në 1,056 Euro/m2 në tremujorin e parë 2021. Çmimet mediane variojnë në intervalin nga 930 Euro/m2 – 993 Euro/m2.
Tremujori i parë 2022 karakterizohet nga një rritje e çmimeve mesatare të shitjes së apartamenteve në këtë zonë. Çmimet reale mesatare përllogariten në 1,056 Euro/m2, ndërsa çmimet mediane në nivelin 993 Euro/m2, duke pësuar një rritje me 4.55 % dhe 2.48% krahasuar me tremujorin e katërt 2021.
Raporti
Ky raport vjen në vazhdimësi të publikimeve të indeksit dhe statistikave për periudhën vjetore 2005-2019 dhe në vazhdimësi të publikimit të tremujorit të katërt 2021, më poshtë do të paraqiten interpretimet për tremujorin e parë 2022.
Në këtë publikim është ruajtur e njëjta paraqitje grafike e kurbave të evoluimit në kohë të indeksit dhe statistikave të çmimeve reale të shitjes së apartamenteve në Tiranë për periudhën tremujore të vitit 2020 deri në tremujorin e parë 2022.
Si bazë krahasuese për të gjitha periudhat e përfshira në vlerësim, është ruajtur e njëjtë periudhë kohore, viti 2005, si një periudhë që plotëson kriteret dhe kushtet e një momenti të qëndrueshëm për tregun e pronave të paluajtshme.
Ashtu si në publikimet e bëra më parë, edhe në këtë publikim, indeksi dhe statistikat për tremujorin e katërt 2021 do të pasqyrohen me frekuencë tremujore. Duke qenë se në publikimin e parë, indeksi dhe çmimet reale mesatare e mediane të shitjes së apartamenteve në Tiranë janë interpretuar sipas analizës fenomenologjike (rritja, stanjacioni dhe rënia); në këtë raport dhe në raportet e mëpasshëm do të ofrohen jo vetëm indeksi, statistikat përshkruese të çmimeve dhe karakteristikave të pronave në shitje në periudhën e fundit tremujore, por edhe krahasime me tremujorët paraprirës. Në këtë publikim ofrohet një krahasim me tremujorin e katërt 2021.
Vlen të theksojmë se, Keydata Albania ka ndërtuar tashmë edhe website www.keydata.al, i cili do të ofrojë informacion në lidhje me indeksin dhe statistikat e tregut të pasurive të paluajtshme, lehtësisht të aksesueshme për cilido individ apo biznes të interesuar duke ofruar mundësinë e blerjes së produkteve online./Monitor/