Në Beograd sot me rastin e “Ditës së Fitores” kundër fashizmit në Luftën e Dytë Botërore është mbajtur manifestimi “Regjimenti i Pavdekshëm”, me mesazhin se “Serbia dhe Rusia kanë qenë gjithmonë në anën e duhur të historisë”, shkruan Demokracia.com.
Pas paradës nga qendra e qytetit, pjesëmarrësit vendosën kurora dhe qirinj në Varrezat e Çlirimit të Beogradit, ndërsa në procesion përkujtimor morën pjesë ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan Kharchenko dhe përfaqësuesit e qeverisë serbe, Nenad Popoviq dhe Aleksandar Vulin.
Ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Nenad Popoviq, theksoi se “Serbia dhe Rusia kanë qenë gjithmonë në anën e duhur të historisë” dhe tha se gjeneratat e sotme e kanë obligim “të mbrojnë dy vlerat më të mëdha të Serbisë – lirinë dhe pavarësinë”.
Në tubim, me thirrjet “Rroftë Rusia”, “Rroftë Putin”, u paraqit një figurë kartoni me imazhin e presidentit rus dhe një shkronjë e madhe “Z”, simbol nën të cilin trupat ruse kryen agresion në Ukrainë 24 shkurt.
Shërbimi Publik Kombëtar (RTS) sot, ndryshe nga vitet e kaluara, nuk e transmetoi paradën drejtpërdrejt në Sheshin e Kuq të Moskës, në shënimin e 77-vjetorit të Ditës së Fitores. /Demokracia.com/