Një 57-vjeçare ka ndërruar jetë pasi është alivanosur në parkun rekreativ ‘Te Pishat’ në Sllatinë, dje në orët e pasdites, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se pas marrjes së informacioneve për gjendjen e viktimës, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar nga ekipi i mjekëve se gruaja ishte pa shenja jete.
Sipas informatave të para lidhur me këtë rast, nuk ka ndonjë dyshim tjetër përveç problemeve shëndetësore që viktima ka pasur. Kështu ka deklaruar bashkëshorti i saj para hetuesve policorë.
Pas marrjes së deklaratës së bashkëshortit dhe dëshmitareve që ishin në vendin e ngjarjes kur ka ndodhur rasti, prokurorja kujdestare ka udhëzuar që s’ka elemente për t’u iniciuar rasti, pasi viktima ka ndërruar jetë për shkak të sëmundjes.