Pas takimeve të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Berlin, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se përparimi në dialogun Kosovë-Serbi është i një rëndësie “të madhe” për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, ashtu si dhe për integrimin evropian të të dyja vendeve.
Duke folur pas takimit me Kurtin, Scholz tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve.
Ai tha se marrëveshja e ardhshme Kosovë-Serbi do të ketë shumë detaje, por se do të përfshijë edhe njohjen reciproke.
“Objektivi i dialogut të Brukselit [midis Kosovës dhe Serbisë] është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme, që u hap të dyja vendeve perspektivën e [anëtarësimit në] Bashkimin Evropian dhe kontribuon për stabilitetin rajonal”, tha Scholz.
Kurti, në anën tjetër, tha se “njohja reciproke duhet të jetë në qendër dhe jo në fund të procesit” të negociatave me Serbinë.
Ai tha se Kosova është “proaktive dhe konstruktive” në dialog dhe se po bën propozime që janë në përputhje me vlerat e Bashkimit Evropian.
“Ne jemi të përkushtuar për të arritur rezultate konkrete shpejt dhe në bashkëpunim të plotë”, tha Kurti në konferencën e përbashkët për media me kancelarin gjerman. REL