Ish presidenti dhe njëkohësisht një ndër celulat e para të UÇK-së Hashim Thaçi në vitin 2008 e kishte dhënë një intervistë të rëndësishme për emisionin Opinion. Ai kishte treguar se në Lëvizjen Popullore të Kosovës – LPK ishte inkuadruar nga Kadri Veseli.
Gjithashtu, ai tregoi se pas aksioneve të para të armatosura të muajit shtator 1992 dhe muajit maj 1993 Adem Jashari, Kadri Veseli dhe disa shokë kishin shkuar në Shqipëri për të marrë instruksione. Komandanti legjendar Adem Jashari kishte jetuar në hotelin ushtarak të Tiranës me të gjithë bashkëluftëtarët.
Adem Jashari dhe Kadri Veseli e kishin thirrur në telefon Hashim Thaçin për të shkuar në Shqipëri, sepse komandanti Adem Jashari ishte dëshpëruar shumë pas qëndrimit në Tiranë. Sipas Thaçit, Adem Jashari nuk ishte përkrahur nga askush në Shqipëri dhe të vetmën mundësi që ia ofronte Shqipëria ishte një pasaportë për të dalur nga Kosova.
Për sulmet e armatosura, Serbia në vitin 1997 kishte lëshuar fletarrest për komandantin legjendar Adem Jasharin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Nurën, Fadil Kodrën, Rexhep Selimin e për bashkëluftëtarët e tjerë. Poashtu këta edhe ishin dënuar atë kohë.