Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, të dielën pritet ta vizitojë Izraelin.Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Sharr Jakupi, shef i kabinetit të Gërvallës, duke shtuar se ministrja do të ketë një agjendë mjaft të ngjeshur në kuadër të kësaj vizite.“Ministrja do të ketë shumë takime, duke përfshirë zyrtarë qeveritarë, universitete dhe OJQ. Ministrja Gërvalla do të takohet edhe me homologun e saj, Yair Lapid, ministra të tjerë, dhe përfaqësues të Knessetit”, tha ai.
Jakupi po ashtu ka paralajmëruar se ministrja Gërvalla do të nënshkruajë edhe marrëveshje të bashkëpunimit në Izrael.
Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt të vitit të kaluar.
Njohja nga Izraeli ka qenë zotim i marrëveshjes së Uashingtonit të nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti.
Sipas kësaj marrëveshjeje Kosova ishte dashur ta hapte ambasadën në Jerusalem, ndërsa Serbia të lëvizë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.