Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj i ftuar në T7 ka folur rreth qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti dhe kabintetit të tij.
Ai është shprehur i zhgënjyer lidhur me qeverinë Kurti II dhe është shprehur se janë larg me shtetin dhe janë të duhur për të qenë asistentë nëpër fakultete, shkruan lajmi.net.
“Po i shoh një grumbull djem e vajza, do të ishin të mirë për asistentë, me ligjëru, naj profesori të vjetër me ia mbajtë fletoret, me ua mbajtë ushtrimet. Por, shteti dhe ata janë larg nga njëri-tjetri. Ata që s’janë të gatshëm ta rrezikojnë rehatinë e tyre, që nuk e bën primare punën publike, por e lë një nga punët, ai që s’është i gatshëm të përballet në debat me ty edhe kur të shajnë, ai njeri nuk mun e drejton shtetin, nuk mund ta drejtojë asnjë dikaster.”, tha Limaj në T7.
Limaj tha se drejtuesit e institucioneve duhet t’i kenë disa karakteristika dhe sipas tij Kurti është “kryeministër universal”, që i di të gjitha.
“Duhet disa karakteristika me i pasë me qenë drejtues, drejtuesi i ministrisë duhet t’i ketë disa karakteristika. Ne sot shohim një kryeministër që është universal, krejt i din, si t’ia nisë atje me folë ekspert i komunikacionit, tani i energjetikës, i feve, i sportit. Ministrat e tij ku janë? Ata kanë me ardhë nëpër studio, e të thonë, ne e kishim bërë, por s’po na len kryeministri. Ata janë kthyer në administratorë, nuk kanë iniciativë. Drejtimi i një ministrie do personalitet, pa personalitet nuk drejtohet ministria, aftësia profesionale, por edhe personaliteti.”, tha Limaj.
Gjithashtu, kreu i Nismës është shprehur se njerëzit mund të jenë profesionist të mirë, por jo domosdoshmërisht janë drejtues të mirë institucionesh, derisa ka kritikuar Kurtin edhe në përzgjedhjen e ministrave.
“Duhet të kesh emocion me qytetarin se ke marrë përgjegjësi prej tyre. Nuk je kanë kurrë në Kosovë, nuk e di se çfarë ndodh në Kosovë dhe të telefojnë “hajde bonu ministër”. Kjo është për opinionin. Ju mund të jeni profesionist në fushën tuaj, por menaxhimi është diçka tjetër. Ju mund të jeni kirurg i mirë, por në ministri dallon. Ju mund të jeni doktor i shkencave politike, por është dallim i madh të jesh politikan. Ai që mirret me politikë për ditë, ai mirret me një shqetësim që duket banalitet e kot, e deri tek vendimarrja. Në zyrën e juaj vijnë 1 milion kërkesa e ju duheni me marrë vendim me shku a mos me shku, ai vendim ka pasoja…Ata tash po thojnë: “Këtu paska shtet more”. Ai që më së shumti i ka keqtrajtu, i ka sha. Tash çdo ditë mundohet me dalë me folë për veprimet e policisë e që s’o punë e tij. Administrata jonë është më funksionale. A e ke pa sa zgjedhje kemi pasur, asnjëherë s’është dridhë administrata, gjithmonë ka funksionuar administrata dhe qytetari nuk e ka ditur, s’e ka ndjerë ndonjë problem. Këto kohë është ndërtuar një administratë që funksionon pavarur.”, tha Limaj. /Lajmi.net/