Për shkak të luftës në Ukrainë, çmimet e lëndëve të para, duke përfshirë drithërat, miellin dhe majanë, aktualisht janë duke shënuar rrutje të mëdha. Në të gjithë Gjermaninë, furrat e bukës dhe bukëpjekësit janë goditur drejtpërdrejt nga rritja e çmimeve.
Nëse vazhdon kështu, Shoqata e Bujqve në Gjermani bën të ditur se buka së shpejti do të mund të kushtojë dhjetë euro, shkruan Handelsblatt.
Rusia dhe Ukraina janë ndër prodhuesit më të rëndësishëm dhe më të mëdhenj të grurit. Që nga pushtimi rus i Ukrainës, prodhuesve u është dashur të shpenzojnë shumë më shumë para për prodhimin e produkteve të bukës. Blerësit së shpejti do të lënë mënjanë më shumë para për të blerë bukë ose pasta.
Thomas Bode, bukëpjekës nga shteti gjerman i Turingisë, ka thënë për Focus Online se kohët e fundit i është dashur të rrisë çmimet e produkteve të tij me rreth 20 për qind për shkak të rritjes së kostove. Zakonisht, kostot e prodhimit, duke përfshirë kostot e punës, janë ato që përbëjnë pjesën më të madhe të çmimit. Por sipas Bodes, kjo tashmë ka ndryshuar.
“Kostoja e lëndëve të para dhe energjisë tani është në të njëjtin nivel me koston e prodhimit”, thotë ai për Focus Online.
Furrat e bukes në rrethin e Kaselit po kërkojnë mirëkuptim nga klientët e tyre për shkak të çmimeve të larta të bukës.
Por a mund të shkojë së shpejti çmimi i bukës në dhjetë euro? Për këtë ka dhënë një vlerësim Daniel Schneider, menaxher i përgjithshëm i Shoqatës Qendrore të Furrave Gjermane.
“Bujqit prodhojnë grurë, bukëpjekësit pjekin bukë. Këta të fundit janë ata që duhet të llogarisin çmimet në bazë të kostove”, thotë Schneider për Handelsblatt.
Ndërsa kostot e energjisë, fuqisë puntore, dhe prodhimit janë duke u rritur, shumë kompani do të duhen të rishikojnë shpenzimet dhe t’i bëjnë përllogaritjet e tyre.
“Mirëpo ne jemi ende shumë larg çmimit prej dhjetë eurove për një kilogram bukë”, thotë Schneider.
Në shumë rajone, megjithatë, buka tashmë kushton rreth katër euro dhe mund të bëhet edhe më e shtrenjtë në javët e ardhshme, raporton Fenix Magazine.