Sipas drejtorit të Agjencisë së Punësimit të Repubikës së Kosovës (APRK), Drin Haraçija, janë rreth 83 mijë punëkërkues aktivë, dhe ky numër rezulton si pasojë e mungesës së kushteve primare në punë.
Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK), me rastin e një majit, ditës ndërkombëtare të punëtorëve, ka shprehur shqetësimet e saj në lidhje me kushtet e punëtorëve në vendin e punës.
Sipas drejtorit të kësaj agjencie, Drin Haraçija, janë rreth 83 mijë punëkërkues aktivë, të cilët pas gjashtë muajve, nëse nuk kërkojnë përsëri punë, kalojnë në listën e punëkërkuesve pasivë.
Ky numër, sipas tij, rezulton si pasojë e mungesës së kushteve primare në punë.
Siç thotë ai, gjithmonë ka vend për përmirësimin e kushteve të punëtorëve.
“Nëse dëshirojnë që bizneset t’i kenë afër punëtorët, atëherë duhet t’i plotësojnë kërkesat e tyre”.
“Sa i përket këtij një maji, gjendja e punëtorëve çdo herë ka vend për përmirësim”.
“Vlen të theksohet se një ndër kushtet primare është edhe siguria dhe shëndeti në punë, këto të fundit kërkohen nga punëtorët”, ka thënë ai për RTV Dukagjinin.
Sipas tij, veprimi i fundit sa i përket rritjes së pagës minimale, është një ndër faktorët që ndikon në kushtet e punëtorëve, në këto kushte luan rol edhe punëdhënësi.
“Bizneset kanë një rol shumë të rëndësishëm në këtë punë, në mënyrë që t’i kenë punëtorët afër vetës, për shkak se tregu është i hapur dhe mund të ketë lëvizje te bizneset e ndryshme, të cilat ofrojnë sigurime shëndetsore dhe kushte më të mira të punës me paga të dinjitetshme”, ka thënë Haraçija.
“Kjo është një rrugë në mes të të dyja palëve, punëdhënësit edhe punëmarrësit, por primare janë kushtet e punës”.
Ai ndër të tjera ka theksuar se “Agjencisë së Punësimit mund t’i adresohet çdo qytetar, kryesisht të papunët, por edhe të punësuarit mund të përfitojnë nga programet e ndryshme që i kemi ne, në kuadër të masave për trajnime praktike. Në kuadër të Agjencisë së Punësimit janë edhe qendrat e aftësimit profesional, të cilat ofrojnë trajnime në profile të ndryshme.”
“Përveç kësaj, ka edhe benefite të tjera për ata që drejtohen në zyrën e punësimit, sepse përveç masave aktive që i kanë, mund të përfitojnë edhe ndërmjetësimin direkt në tregun e punës”.
“Kjo do të thotë që, këshilltari i punësimit bazuar në profilin e aplikantit mund ta orientojë ose ta këshillojë për ta drejtuar për te x biznesi, i cili ka shpallur vende të lira të punës te Agjencia e Punësimit, domethënë, ndërmjetëson për një punësim të rregullt bazuar në profilin edhe shkathtësitë që i ka, dhe kërkesen që ka biznesi”, ka shtuar ai.
Haraçija, në fund ka bërë apel që qytetarët t’iu drejtohen zyrave të punësimit, sepse përveç masave aktive që mund të përfitojnë, ata mund të përfitojnë edhe ndërmjetësim direkt në tregun e punës.