Shefi i stafit të presidencës së Kosovës, Blerim Vela, e ka ngritur me shqetësim armatosjen e vazhdueshme dhe të pandalshme të shtetit serb. Ai, sot ka reaguar ndaj ekspozimit në Serbi të armatimit kinez.
Ekspozimi i këtij armatimi këtë të shtunë, ka nxitur shqetësime të shumta edhe te zyrtarë ndërkombëtarë.
Vela ka thënë se militarizimi i shpejtë i Serbisë është duke e rrezikuar paqen në rajon.
“Serbia publikisht ekspozoi sistemin antiraketor kinez FK-3 me rreze të gjatë veprimi. Serbia është i vetmi vend në Evropë që ka pranuar dhe po operon me një sistem të tillë kinez. Serbia është duke u armatosur me shpejtësi dhe duke e rrezikuar paqen në rajonin tonë”, ka shkruar Vela në Twitter