Eurostat, Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian që jep statistika për vende të ndryshme, ka publikuar çmimet e energjisë elektrike për vendet e Bashkimit Evropian, derisa ka përfshirë edhe shtetet që ende nuk janë të anëtarësuara, si Kosova dhe Ukraina.
Eurostat ka bërë të ditur se statistikat e shpjeguara, janë për pjesën e dytë të vitit 2021.
Gjatë kësaj kohe, qytetarët e Kosovës ende paguanin faturat me çmime më të lira, deri në kohën kur u mor vendimi nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, i cili u përkrah edhe në opinionin e Qeverisë së Kosovës.
Në këto statistika, ku përfshihen edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova shihet se kishte paguar më së paku për energji elektrike, me rreth 6 centë për orë.
Shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Bosnja e Hercegovina, gjatë kësaj periudhe e ka paguar energjinë elektrike me 8 centë për orë, Serbia po ashtu me rreth 8 centë për orë, Maqedonia e Veriut gjithashtu me një çmim të ngjashëm, Shqipëria ka paguar 9 centë për orë dhe Mali i Zi gati 10 centë për orë, raporton Demokracia.com.
Por çmimet e energjisë për qytetarët e Kosovës kanë ndryshuar, nga koha kur janë publikuar statistikat nga Eurostati.
Rritja e çmimit të energjisë nga muaji shkurt, nxiti reagime të ashpra në Kosovë, si nga akterët politikë, ashtu edhe nga qytetarët.
Sipas vendimit të datës 8 shkurt të Zyrës së Rregullatorit për Energji, çmimi i ri i energjisë për konsumatorët që harxhojnë mbi 800 kWh në muaj, do të jetë 12.52 cent për orë, raporton Demokracia.com.
Të njëjtat tarifa, kanë hyrë në fuqi nga 9 shkurti 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023.
Vlen të theksohet se lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike, janë mbajtur edhe protesta në Kosovë si ajo e organizuar nga Partia Socialdemokrate, në të cilën morën pjesë mijëra qytetarë.
Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti e kishte arsyetuar këtë vendim me krizën energjetike, të cilën e përballoi më së keqi në rajon, raporton Demokracia.com.
Veç kësaj, gjatë javës së kaluar ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ka qenë shumë i përfolur për një skandal financiar ku është përfshirë kryeministri i zgjedhur i Sllovenisë, Robert Golob dhe një kompani serbe.
Mediat kanë raportuar se në kohën kur kreu i ekzekutivit, Albin Kurti i kërkonte qytetarëve të Kosovës të ngroheshin me qebe për të kursyer energjinë elektrike, sepse siç thuhej, çmimet kishin shkuar deri në 600 euro për megavat orë energji elektrike, Korporata Energjetike e Kosovës i shiste rrymë kompanisë GEN me zyre në Beograd e Shkup me çmim prej vetëm 105 euro megavatin.
Ambasadori Berishaj dyshohet se i ka pranuar rreth 600 mijë euro nga kjo kompani energjetike, GEN-I, të cilat i dorëzoi te politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.