KFOR-i në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, për tri ditë radhazi kanë vepruar për të mundësuar hapjen e rrugëve për lëvizje të qytetarëve në veri pasi ishin mbyllur disa nga policia me synimin që të ndalet kontrabanda.
Lidhur me këtë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se në bashkëpunim me KFOR-in kanë mbyllur sot një rrugë ilegale në veri të vendit, por në të njëjtën hapësirë në lokacion tjetër është hapur një rrugë alternative për banorët e asaj zone.
Sveçla gjatë raportimit në Komisionin për Siguri ka thënë se në atë zonë nuk ka rrugë alternative, porse ka rrugë ilegale të cilat shteti i Kosovës ka vendosur me i mbyllë.
Midis dy shteteve nuk mund të ketë rrugë alternative pa marrëveshje të saktë mes dy vendeve. Krejt çka ka bërë Policia e Kosovës është se ka hap pengesa që rrugët që janë hapur ilegalisht të pamundësohen të shfrytëzohen për aktivitete ilegale… Jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me gjithë akterët, përfshirë edhe KFOR-in… Ka qenë çështje teknike pse një pengesë ka qenë këtu dhe nuk është këtu”, ka thënë ai.
Një zyrtar i KFOR-it ka konfirmuar për KosovaPress se në periudhën periudhën 26-28 prill në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë veprime për riparimin e ndërprerjes së dy rrugëve në afërsi të Vijës Kufitare Administrative.
“KFOR-i mbështet përpjekjet e institucioneve në Kosovë për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të frenuar aktivitetet kriminale në Kosovë. Ne vazhdojmë të mbështesim Policinë e Kosovës për të penguar aktivitetet e kontrabandës dhe trafikimit, edhe në veri të Kosovës. Në periudhën 26-28 prill, KFOR-i – në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme – ndërmori veprime për riparimin e ndërprerjes së dy rrugëve në afërsi të Vijës Kufitare Administrative. Çdo masë sigurie që synon përmirësimin e policisë dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të sigurt duhet të peshohet proporcionalisht me nevojat e komuniteteve lokale dhe me lirinë e lëvizjes për banorët vendas”, ka thënë zyrtari i KFOR-it.
Ai ka theksuar se KFOR-i mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandtit të tij të OKB-së.
“KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së (që rrjedh nga Rezolutat 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999) për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, përfundon ai.