Partia e të Moderuarve në Suedi e ka hedhur në shqyrtim marrjen me qira të qelive të burgjeve në Kosovë. Por Parlamenti suedez ka votuar pardje kundër mundësisë së marrjes me qira të burgjeve në Kosovë përkundër shtetit të saj fqinj Danimarkës e cila ka huazuar 300 qeli të tilla.
Partia e Moderuar suedeze edhe pse kishte propozuar që të konsiderohet marrja me qira e burgjeve në Kosovë, në seancën e Parlamentit ata votuan kundër.
Fillimisht në një komunikatë për media kjo parti kishte propozuar që të shikohet mundësia e marrjes me qira të burgjeve në Kosovë.
“Edhe pse Shërbimi Suedez i Burgjeve tashmë planifikon të zgjerohet sot, është e qartë se do të kërkohen rritje të mëtejshme të kapaciteteve për të përballuar krimin në rritje. Në kuadër të kësaj pune, duhet të hulumtohet mundësia e marrja me qira të burgjeve në Kosovë”, thuhej në deklaratë.
Shumica e partive votuan kundër duke deklaruar se “marrja me qira e institucioneve jashtë vendit nuk është efikase dhe s’është zgjidhje për shërbimin korrektues”.
Në anën tjetër, shteti i Danimarkës të mërkurën nënshkroi një marrëveshje me Kosovën për të sjellë 300 të burgosur në Kosovë si përpjekje për të reduktuar mbipopullimin në burgjet e Danimarkës.
Të dy vendet ranë dakord fillimisht në dhjetor që vendi skandinav të marrë me qira 300 qeli burgu për një tarifë vjetore prej 15 milionë eurosh.
“Ne kemi nënshkruar tani një marrëveshje që do të sigurojë kapacitet më të mirë në burgjet tona të mbipopulluara dhe do të lehtësojë presionin mbi oficerët tanë të burgjeve,” tha në një deklaratë Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Haekkerup.
Të burgosurit do të dërgohen në një burg në qytetin e Gjilanit, nga fillimi i vitit 2023.
Të burgosurit e huaj do të deportohen pas vuajtjes së dënimit.
“Me këtë marrëveshje, Danimarka dërgon gjithashtu një sinjal të qartë për të huajt nga vendet e palëve të treta që janë dënuar me dëbim. E ardhmja juaj nuk është në Danimarkë dhe për këtë arsye nuk do ta kryeni dënimin tuaj këtu”, tha Haekkerup.
Deri në vitin 2020, në Danimarkë rreth 350 të burgosur do të deportoheshin pas përfundimit të dënimit në burgjet daneze.
Popullsia e burgjeve në Danimarkë u rrit me gati 20 për qind që nga viti 2015 për të arritur në më shumë se 4,000 njerëz të burgosur në fillim të vitit 2021, duke e vendosur shkallën e kapaciteteve të burgjeve mbi 100 për qind, sipas të dhënave zyrtare.
Në të njëjtën periudhë, numri i rojeve ra për 18 për qind.
Nuk është hera e parë që Danimarka, e cila ka një nga qëndrimet më të ashpra të Evropës për emigracionin, planifikon të transferojë menaxhimin e të huajve përtej kufijve të Bashkimit Evropian.
Kosova dhe Danimarka nënshkruan më 20 dhjetor një letër-pëlqim, sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës.