Presidenti rus Vladimir Putin ka shtuar kërcënimet për një sulm të mundshëm bërthamor pasi paralajmëroi vendet perëndimore që përpiqen të ndërhyjnë në Ukrainë se do të merrnin një përgjigje rrufe nga Moska.
Nëse dikush synon të ndërhyjë në ngjarjet e vazhdueshme (në Ukrainë) nga jashtë dhe të krijojë kërcënime strategjike të papranueshme për ne, atëherë ata duhet ta dinë se përgjigja jonë ndaj atyre goditjeve do të jetë e shpejtë. Trupat ruse nuk do të hezitonin të përdornin armatimin më modern. Ne kemi të gjitha mjetet për këtë – ato për të cilat askush nuk mund të mburret. Dhe ne nuk do të mburremi. Ne do t’i përdorim ato nëse është e nevojshme. Dhe unë dua që të gjithë ta dinë këtë”, tha Putin.
Javën e kaluar, Rusia njoftoi se kreu një testim të suksesshëm të lëshimit të raketës Sarmat ICBM, me nofkën Satan 2 në Perëndim, një nga raketat më shkatërruese në botë.
Në vazhdim të fjalimit të tij në Shën Petersburg, udhëheqësi rus tha se përpjekjet perëndimore për të “mbytur ekonomikisht Rusinë” përmes sanksioneve kishin dështuar.
Ai tha se Perëndimi dëshironte të përdorte Ukrainën si një platformë për të sulmuar Rusinë përmes gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014 dhe rajonit lindor të Donbasit të kontrolluar nga separatistët.
Deklaratat erdhën disa orë pasi gjiganti rus i energjisë Gazprom ndërpreu furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë, që u dënua gjerësisht nga perëndimi, i cili e quajti veprimin shantazh të pastër.