Ish zëvendësministri i Mbrojtjes, Isa Xhemajlaj, ka publikuar një listë me emra të paramilitarëve serbë pjesëtarë të masakrave në fshatrat e Poklekut dhe Qikatovës në Drenas.
Xhemajlaj tha se këtë listë e ka gjetur më 14 qershor 1999, kur së bashku me disa pjesëtarë të UÇK-së ishin futur në Drenas.
“Me rastin e Ditës së të zhdukurve po e publikoj këtë regjistër të rojës serbe në Drenas. Këtu janë emrat e një pjese të paramilitarëve Serb që mund të jenë të përfshirë në masakrën e Poklekut dhe Qikatovës. Kjo është lista e rojës sē paramilitarëve Serb që e kam gjetë me 14 Qershor 1999, kur me disa pjestar të UÇK-së kemi hyrë në Drenas, ndërsa forcat Serbe ende ishin rreth 500 metra larg neve”, ka shkruar ai në Facebook.
Xhemajlaj shtoi se lista në fjalë mund të shërbejë për zbardhjen e krimeve serbe të luftës.
“Kjo listë me këta emra të ndërrimit të rojës tê datës 12 Prill 1999 është gjetë në objektin e Policisë dhe mund ti shërbejë kujtdo që merret me zbardhjen e krimeve serbe. Këta janë emrat e paramilitarëve që mund të dërgojnë në identifikimin e kriminelëve qê ato ditë Prilli kryen masakra nê Poklek dhe Qikatovë”, përfundoi ai.