Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, e ka quajtur gënjeshtare Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe ka tentuar ta devijojë nga konteksti raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën, konkretisht pjesën e sulmit të deputetit të VV-së ndaj mediumit ‘Albanian Post’.
Abazi, në një debat me kryetarin e KMSHK-së, Imer Mushkolaj, ka thënë se AGK-ja ka gënjyer, e që sipas pretendimeve të Abazit këtë, siç e quan ai, gënjeshtër e ka cituar DASH-i.
Nuk e përmend Departamenti i Shtetit, por të referohet ty, AGK-së. AGK-ja ka gënjyer. Nuk mund të godasësh nën brez. Kjo është goditje nën brez Imer. Nuk mund të fshihesh nga përgjegjësia që ke”, tha Abazi në RTV Dukagjin.
Deklarata e tij erdhi pasi Mushkolaj, përgjatë debatit për skandalin ekonomik në Slloveni, që dyshohet të jetë i implikuar edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ia citoi raportin e DASH-it deputetit të VV-së.
“Zoti Abazi rastin e Matin Berishës po e vendos në kontekstin e një beteje politike në Slloveni dhe për një Fake News, pasi që edhe LVV e ka në diskursin e saj temën e Fake News-ave sa herë që ka kritika ndaj saj. Zoti Abazi ju po e përmendni Fake News-in, por unë po e përmendi raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit ku ju thuhet se keni kërcënuar media”, deklaroi Mushkolaj.
Siç precizon raporti i DASH-it, “sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në shtator Haki Abazi, deputet i partisë në pushtet Vetëvendosje, kërcënoi median online, Albanian Post dhe drejtorin e saj për mbulimin e tyre të emërimit të ambasadorëve nga qeveria. Media postoi një regjistrim të incidentit të pretenduar në internet”.