Më shumë se 7 milionë i kishte ndarë Qeveria e Kosovës. 34 të tjera ishin ndarë nga buxheti i KOSTT-it. Në total, gati 42 milionë euro u dhanë për t’ua paguar rrymën serbëve në veri, vetëm gjatë vitit 2021. Kjo shumë është zbardhur zyrtarisht në raportin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2021. Veç veriut, detaje u dhanë edhe për krizën me energjinë, rritjen e çmimit dhe përkrahjen nga qeveria. Gazeta Nacionale sjell detaje.
Përderisa qytetarët në pjesët e tjera të Kosovës po vazhdojnë të paguajnë rrymën me çmim të rritur pavarësisht vendimit të Gjykatës Themelore për masë të përkohshme, ata në veri po vazhdojnë të përfitojnë beneficione. Veç ndihmave të përditshme nga qeveria e Serbisë, ata vazhdojnë të jenë imunë ndaj obligimeve shtetërore. Njëra prej tyre, është pagesa e rrymës.
Në raportin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë janë zbardhur shumat e sakta që janë paguar nga institucionet e Kosovës për pagesën e rrymës së serbëve në veri. Takspaguesit kosovarë kanë dhënë gati 42 milionë euro, duke bërë që serbët të mos e fusin dorën në xhep për pagesën e faturave të energjisë.
“Furnizimi i katër komunave veriore të Kosovës, edhe gjatё vitit 2021 ёshtё bёrё nga KOSTT duke shfrytёzuar tё hyrat nga buxheti vetanak dhe grantin e Qeverisё. Kostoja totale për mbulimin me energji elektrike nё katёr komunat veriore tё vendit ёshtё 41,806,026€, prej tё cilave 7,673,461€ kanё qenё nga granti i Qeverisё, si dhe pjesa tjetёr 34,132,565€ nga buxheti i KOSTT”, thuhet në raportin e ZRrE-së, raporton gazeta Nacionale.
Me vendim të Kuvendit të Kosovës, ishte përcaktuar që pagesa për serbët, të përfshijë disa komuna të veriut.
Kuvendi i Kosovës përmes rekomandimit me nr. 896, tё datёs 11.05.2021 ka autorizuar NP KOSTT tё mbulojё devijimet e energjisё nё katёr komunat veriore tё vendit: Mitrovicё e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, sipas zgjidhjes sё prezantuar dhe miratuar nё komisionin funksional duke shfrytёzuar tё hyrat nga buxheti vetanak, mjete kёto tё cilat do tё kompenzohen nga dividenta apo ndonjё mekanizёm tjetёr i mundshёm. Kostoja totale për vitin 2021 për mbulimin me energji elektrike nё katёr komunat veriore tё vendit ёshtё 41,806,026 €, prej tё cilave 7,673,461 € kanё qenё nga granti i Qeverisё, si dhe pjesa tjetёr 34,132,565 € nga buxheti i KOSTT”, bëhet e ditur në raport.
PSE?
Vendimi për pagesën e rrymës ndaj serbëve në veri është një problematikë tash e disa vjet. Në vitin 2017 faturimi i rrymës në veri është vlerësuar si humbje nga ZRrE-ja. Që nga atëherë, ishte vendosur që mbulimi i humbjeve të bëhet me tarifa të KOSTT-it. Megjithatë, Gykata kishte vendosur se asnjë para e marrë nga konsumatorët në pjesët e tjera të energjisë, nuk mund të përdoret për t’ua mbuluar shpenzimet serbëve.
“Rrjedhimisht, që nga 02 Dhjetor 2017 e deri më sot, energjia që konsumohet në katër komunat veriore te vendit është tërhequr nga ana e Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Kosovës (KOSTT) prej rrjetit inerkonektiv evropian, duke krijuar një devijim, kostoja e të cilit është ngritur vazhdimisht. Në këtë kontekst, pra në pamundësi ligjore dhe financiare, KOSTT ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndajë mjete për mbulimin e konsumit të pjesës veriore të Kosovës, derisa çështja e furnizimit të pjesës veriore të Kosovës të adresohet në mënyre të rregullt”, thuhet në raportin për vitin 2021 të publikuar ditë më parë.
“Marrëveshja për energjinë e lidhur në mes të Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe konkuluzat e BE-së të vitit 2015, ndër të tjera përcakton adresimin e furnizimit të energjisë në katër komunat e veriut te vendit. Ky proces parashikonte krijimin e një entiteti të ri (“Elektrosever”) të regjistruar si biznes në Kosovë, i cili është realizuar. “Elektrosever” në dhjetor 2020 ka aplikuar në ZRrE për licencë të furnizimit me energji elektrike konform kornizës ligjore dhe rregullative të Kosovës. ZRRE ka konfirmuar pranimin e aplikacionit dhe ende është në proces të shqyrtimit”, bëhet e ditur më tutje.
HUMBJET
Veriu ishte kthyer në lokacion të mbajtjes së pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave. Marrë parasysh se shpenzojnë shumë rrymë, serbë e shqiptarë i mbanin në pjesën veriore. Si pasojë, edhe humbjet në rrjet ishin mjaft të larta.
“Humbjet teknike në rrjetin e shpërndarjes ende janë mjaft të larta, dhe në vitin 2021 kanë qenë 12.46 %, kurse konsumi i paautorizuar i energjisë (më tutje në tekst humbjet komerciale) përbëjnë 12.11 % të kërkesës në shpërndarje, prej të cilës energjia e pa faturuar në katër komunat veriore të Kosovës përbënë 5.95 % (372 GWh). Energjia e pafaturuar në katër komunat veriore të Kosovës ka qenë 372 GËh apo 5.95 %. Prandaj humbjet e gjithmbarshme jo-teknike ndaj kërkesës së përgjithshme në shpërndarje, përfshirë humbjet në katër komunat veriore të Kosovës ka qenë 372 GWh apo 5.95 %”, thuhet në raportin e ZRrE-së.
Humbjet e gjithëmbarshme jo-teknike ndaj kërkesës së përgjithshme në shpërndarje, përfshirë humbjet në katër komunat veriore të Kosovës, në vitin 2021 kanë qenë 758 GWh, apo 12.11% ndaj kërkesës së përgjithshme në shpërndarje.
DISKRIMINIM
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ditë më parë në një intervistë për gazetën Nacionale, e kishte vlerësuar si diskriminuese formën aktuale të pagesës së rrymës për serbët e veriut.
“Ka ndryshuar forma e mbulimit me pagesë e këtyre shpenzimeve, dhe jo rregullimi i tërësishëm i kësaj teme, sepse edhe më tej nuk është arritë me u shtri regjistrimi dhe faturimi i energjisë elektrike në këtë pjesë. Nëse me vendimin e kaluar Gjykata e ka vlerësuar të kundërligjshëm ku qytetarëve u janë faturuar shpenzimet e energjisë në veri, ne këtë e kemi konsideruar si diskriminim direkt të kompensimit të këtyre shpenzimeve duke i subvencionuar institucionet, me këtë formë konsideroj se në mënyrë indirekte prapë po e cenon xhepin e qytetarëve, dhe në këtë formë prapë po i shkel të drejtat e tyre për me u trajtu të barabartë”, kishte thënë Qelaj për Nacionalen.
Përveç veriut, në raportin e ZRrE-së ishte analizuar edhe kriza e energjisë, rritja e çmimit, e përkrahja nga qeveria.
“Në vitin 2021, Zyra e Rregullatorit për Energji ka realizuar të hyra në shumë prej 1,401,715.66€. Duke pasur parasysh që shuma totale e buxhetit të shpenzuar nga ZRRE në vitin 2021 është 644,731.79€, të hyrat e pashpenzuara në shume prej 756,983.87€, në pajtim me nenin 23 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, janë derdhur në Buxhetin e Republikës së Kosovës”, vlerëson raporti.