Gjatë kohës sa po deklarohej aktivistja Natasha Kandiq, përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve në formë proteste kanë lëshuar sallën ku po mbahet tryeza “Afër dy dekada e gjysmë pas luftës, cili është fati i personave të pagjetur?”, e organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut.
“Kur flasim për vitin 1998 deri më qershor 99, kemi 1080 të zhdukur shqiptarë. Ky është rezultati që kanë qenë të zënë, pastaj ata që janë të vrarë. Por nuk kemi mbetje të tyre dhe kanë humbur çdo gjurmë të tyre. Ajo çfarë ka ndodhur pas qershorit, kemi që janë zhdukur 327 serbë, romë, boshnjakë, goranë dhe që janë zhdukur 38 shqiptarë. Krejt këto të dhëna tregojnë se sa në fakt viti 1998 ka qenë i tmerrshëm. Përmbi 950 varreza masive janë gjetur, kjo do të thotë që kemi të bëjmë me krime masive”, ka thënë ajo.
Largimi i përfaqësuesve të shoqatave të të pagjeturve është kritikuar nga gazetari kosovar që jeton dhe vepron në Zvicër, Enver Robelli. Ai përmes një postimi në Facebook këtë formë proteste e quajt turp dhe tmerr, shkruan Demokracia.com.
Në postimin e Robellit ka reaguar edhe Fatmir Curri, këshilltar i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi.
“Keq shumë keq. Për më tepër është gjuhë zyrtare, ka mujt vet kryetarja e Komisionit me fol serbisht”, ka shkruar Curri.