Në këndvështrimin e tyre, nuk e kishin shënjestruar sa duhet infrastrukturën dhe objektivat ushtarake, e tani po kërkojnë të rekuperojnë kohën e humbur i tha BBC-së, analisti ushtarak, Justin Crump. Shpërthime të fuqishme janë raportuar në perëndim dhe lindje të Ukrainës teksa forcat ruse pretendojnë se kanë kontrollin e plotë të qytetit-port të Mariupolit, që gjendet në jug të vendit, edhe pse trupat ukrainase atje betohen të luftojnë deri në frymën e fundit e të mos dorëzohen.
Forcat ruse thonë se do ta mbyllin krejtësisht Mariupolin duke mos lejuar hyrje-daljet prej andej. Ultimatumi i ministrisë ruse të mbrojtjes për ushtarët ukrainas atje që të ulin armët, skadoi. Moska thotë se kushdo që reziston më paskësaj, do të eliminohet.
Kjo përfshin sipas saj, edhe mercenarët e huaj, thuhet në deklaratën e saj, që i janë bashkuar forcave të Kievit, mes të cilëve ka europianë e kanadezë. Edhe ata i pret i njëjti fat nëse bëjnë qëndresë, vazhdon deklarata. Pasi dështuan të thyejnë rezistencën ukrainase në veri, ushtria ruse tani e ka përqendruar ofensivën në Donbas, në lindje të Ukrainës. Megjithatë, po kryen sulme ajrore edhe në pjesë të tjera të vendit, duke rikthyer bombardimet në Kiev e Kharkiv, ku u vranë të paktën 5 vetë. Shpërthime janë dëgjuar edhe në qytetin e Lvivit, që besohet se janë shkaktuar nga sulmet me raketa.
Lvivi dhe pjesa tjetër e Ukrainës perëndimore kanë qenë më pak të prekura nga luftimet krahasuar me pjesë të tjera të vendit, qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Kryebashkiaku i Lvivit, Andriy Sadovyi, shkroi në “Facebook” se pesë raketa kanë goditur qytetin dhe se shërbimet e emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes, por nuk dha më shumë detaje. Shpërthime janë raportuar edhe në rajonin jugor të Dipropetrovsk, por ende nuk ka informacione lidhur me viktimat apo dëmet e mundshme.
Nëse qyteti-port i Mariupolit bie nën kontrollin rus, atëherë kjo do t’i jepte Moskës fitoren më të madhe në luftë. Por, disa mijëra luftëtarë ukrainas, siç ka vlerësuar Rusia, janë bllokuar në fabrikën e çelikut, Azovstal, kompleksi i së cilës është prej 11 kilometrash katrorë. “Ne do të luftojmë deri në fund për ta fituar këtë luftë”, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, gjatë një interviste për ABC. Ai shtoi se Ukraina është e përgatitur që t’i japë fund luftës përmes diplomacisë, nëse është e mundur, “por ne nuk kemi ndërmend të dorëzohemi”.