Ndikimi i Serbisë dhe prezenca e pakët e institucioneve kosovare në veri të vendit, janë përmendur edhe këtë vit në raportin e organizatës amerikane “Freedom House” për vitin 2021.
Në çështjen se a i përcaktojnë politikat e qeverisë kreu i ekzekutivit dhe përfaqësuesit legjislativ (deputetët), Kosova ka marrë vetëm dy pikë nga katër prej tyre.
“Serbia ende ruan ndikimin në veri të Kosovës, ku institucionet kosovare nuk kanë prezencë të fortë. Në vitet e fundit, qeveria është decentralizuar, duke u dhënë vetëqeverisje komunave serbe në pjesën jugore të Kosovës, kjo dobësoi strukturat paralele të drejtuara nga qeveria serbe në ato zona”, thuhet në raportin e kësaj organizate.
Kjo organizatë ka përmendur edhe ngecjen e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Një marrëveshje e vitit 2015 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë hodhi bazat për Asociacionin e Komunave Serbe, një organ që synon të promovojë interesat e serbëve, i cili përfshin një legjislaturë të propozuar për komunitetin serb. Krijimi i Asociacionit mbeti në bllokim në fund të vitit 2020”, thuhet në raport.
Raporti po ashtu përmend edhe pandeminë COVID-19 në të cilën sipas tyre u shkaktua huti tek qytetarët serb a duhet t`i dëgjonin institucionet e Serbisë apo ato të Kosovës.
“Komunikimi i qeverisë me komunitetin serb në lidhje me koronavirusin ishte i dobët. Personave që u infektuan me COVID-19 në veri të Kosovës, fillimisht iu ofrua trajtim mjekësor nga qeveria serbe. Popullata lokale shpesh ishte e hutuar nëse do të ndiqte kufizimet e koronavirusit të vendosura nga qeveria serbe apo kosovare”, thuhet në raport.
Ndikimi serb në Kosovë, është përmendur edhe tek fusha e zgjedhjeve, në të cilën është theksuar se ky ndikim bëhet përmes Listës Serbe.
“Serbia vazhdon të ushtrojë ndikim me platformën e Listës Serbe, si dhe të zgjedhjeve politike të serbëve etnik në përgjithësi”, thuhet në raport.
Kosova radhitet sërish në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale.
Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë, sipas raportit të sivjetëm Kosova shënoi një përparim nga 3,14 pikë sa kishte në raportin paraprak, në 3.25.
Rritja është shënuar në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.50 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 3.00.
Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit janë rritur po ashtu në 2.75, ndryshe nga 2.50, sa ishte në raportin e kaluar, ndërsa të gjitha vlerësimet tjera mbeten të pandryshuara nga një vit me parë.
Freedom House vlerëson aksesin e njerëzve në të drejtat politike dhe liritë civile në 210 vende dhe territore përmes raportit të saj vjetor Liria në Botë. Liritë individuale duke filluar nga e drejta e votës deri te liria e shprehjes dhe barazia para ligjit.