Katër të arrestuar dhe një sasi e madhe e kanabisit e konfiskuar.
Ky është rezultati i aksionit të Policisë së Kosovës në Zveçan, ku është shkatërruar një laborator që kultivonte bimë narkotike.
Ngjarja raportohet se ka ndodhur sot rreth orës 11:00 në një shtëpi në fshatin Kremestak.
Tutje është treguar se janë konfiskuar 15 kilogramë substancë e dyshuar narkotike marihuanë e gatshme për treg, 808 bimë të dyshuara kanabis duke u tharë – të gatshme për treg dhe 1 mijë e 531 bimë të reja të dyshuara si kanabis.
Sipas Policisë, është vlerësuar se sasia e sekuestruar e marihuanës dhe bimëve të kanabisit e kalon vlerën e shitjes në treg mbi një milion euro.
Këto pajisje të cilat, sipas Policisë, janë përdorur për mbjelljen, rritjen dhe kultivimin e kanabisit e kalojnë vlerën mbi 450 mijë euro.
“Behet fjalë për një grup të strukturuar kriminal të cilët kanë vepruar në shitjen e narkotikeve në Republikën e Kosovës dhe në Serbi”, ka thënë Policia.
Gjithmonë duke iu referuar njoftimit të Policisë, deri në tërheqjen e plotë të dëshmive njësitet relevante nga stacioni policor Zveçan mbesin në lokacion, përderisa rasti mbetet nën hetime të mëtejme nga antidroga e Policisë së Mitrovicës Veri.
Për kontrollin e shtëpisë ku është gjetur laboratori gjyqtari i procedurës paraprake kishte dhënë urdhër verbal për kontroll.
Policia gjatë këtij kontrolli kishte konstatuar se shtëpia i kishte dyert e mbyllura dhe dritaret e mbuluara.
Në katin e parë, Policia ka thënë se kishte dy dhoma të rregulluara me ndriçim, ventilim dhe saksi dhe një dhomë në të cilën kishte bimë të dyshuara narkotike kanabis duke u tharë dhe pothuaj të gatshme për treg.
Ndërsa në katin e dytë thuhet se ndodhej një dhomë me bimë të dyshuara të kanabisit duke u tharë po ashtu të gatshme për shitje, tri dhoma me bimë të reja të dyshuara si kanabis, një dhomë me ndriçim dhe saksi, një dhome vetëm me saksi të grumbulluara dhe një dhomë e destinuar si depo.
Video Player
Video Player