Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se nëse është e mundur nesër, por edhe ditëve në vazhdim do të ngrisë padi ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, pas konferencës së tyre që patën sot lidhur me disa kontrata të këtij institucioni.
Në Edicionin Special të Klan Kosovës, ai ka theksuar se padia që do të ngritet do të jetë për shpifje.
“Nga PDK-ja nuk pati kritika por akuza, ata kanë thënë se nëntë milionë euro i kemi negociuar nën tavolinë, kjo tregon se si një parti politike e shpërfaq mënyrën se si i kanë bërë ata gjërat vet nën tavolinë kur ishin në pushtet”.
“Ne nuk punojmë nën tavolinë, ne punojmë për ta rritur cilësinë e rrugëve, për ta kursyer buxhetin e shtetit. Kur këta po më flasin për 9 milionë euro, unë po e përmend vetëm një konktratë atë për mirëmbajtjen e rrugë nacionale dhe regjionale, qeverive të Kosovës çdo vit iu kanë kushtuar nga 19 milionë euro, ne këtë vit e kemi bërë këtë me nëntë milionë euro, pra janë diferencë dhjetë milionë euro, jemi duke u kujdesur maksimalisht të kursejmë dhe të rrisim cilësinë”, ka thënë Durmishi, njofton Klankosova.tv.
Durmishi ka shtuar se anëtarët e PDK-së dolën me konferencë për media duke mos e pasë idenë elementare për Prokurimin Publik.
“Të gjitha kontratat një burimore për të cilat kanë folur në konferencën për media janë aneks kontrata për punë shtesë ose për kontrata që janë lidhur shumë vite më përpara, janë kontrata që nuk i kemi nënshkruar ne”, ka thënë Durmishi.