VISAR MUSTAFË HOTI (16.10.1977 – 18.04.1999)
Jeta dhe vepra e dëshmorit të kombit Visar Hoti
Dëshmori Visar Hoti lindi me 16.10.1977 në fshatin Drinas (ish- Ratkoc) të komunës së Rahovecit nga prindërit Mustaf Hoti dhe Melihate Doli-Hoti. Visari si nxënës u dallua nga të tjerët, këtë për faktin se ishte shumë i zgjuar dhe shembullor. Gjatë gjithë shkollës fillore, Visari ishte i pari në klasën e tij dhe më gjerë, me të gjitha notat pesëshe.Derisa ishte gjimnazist, Visari u shpall nxënësi më i mirë në komunën e Rahovecit. Pas përfundimit të shkollës së mesme, dëshira e tij e flaktë ishte që të vazhdonte studimet universitare në Akademinë Ushtarake në Shqipëri. Dhe pikërisht për këtë arsye ai dy herë radhazi, në rrethana ilegale kaloi kufirin shqiptaro-shqiptar për t’u regjistruar në Akademi. Por për fat të keq, edhe përkundër shumë peripecive atje, nuk ia arrin të futet në shkollë, kështu kthehet në Universitetin e Prishtinës, duke regjistruar Fakultetin Ekonomik në vitin akademik 1996/97. Me ardhjen e tij në Prishtinë do të fillojë një kapitull i ri për Visarin. Menjëherë pas rënies në kontakt me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), ai do të aktivizohej në shpërndarjen aktive të organit të kësaj lëvizje “Çlirimit”.
. Më 1 tetor 1997 në Prishtinë u mbajtën protestat studentore, të organizuara nga “Unioni i Pavarur i Studentëve” dhe një grup i profesorëve universitarë. Në këto protesta Visarin e gjejmë në ballë të tyre, si çdoherë i mobilizuar dhe i përgatitur për çdo eventualitet (të papritur). Visari, me të parë këtë situatë, menjëherë u hodh në ballë të masës dhe u përlesh fizikisht me grushte me studentët serbë.Visar Hoti, para se të shkonte në luftë në Anadrini, nga dashuria e madhe për luftën që kishte tentoi të vendosej në zonën e luftimeve në Drenicë, pikërisht pas ngjarjeve të Prekazit. Në Drenicë kontaktoi me pjesëtarin e UÇK-së Agim Gjeli, nga i cili kërkoi që të angazhohej në radhët UÇK-së në zonë e Drenicës. Agimi dëshirën e flaktë të Visarit për t’u kyçur në formacionet UÇK-së e vlerësoi lart, por me që kishte mungesë armësh edhe në këtë zonë iu përgjigj me fjalën njëher tjetër.
Me t’u kthyer nga Prishtina në vendlindje (në Ratkoc) përkatësisht në Anadrini, Visari hidhet menjëherë në veprim, duke shikuar mundësitë se për çfarë kishte nevojë më së shumti UÇK-ja. Duke qenë pika më e ndjeshme në këtë kohë logjistika, pra mungesa e armëve, ai u interesua posaçërisht rreth shkuarjes në Shqipëri, për të siguruar sa më shumë armë dhe municione për ushtrinë. Mungesën e armëve në ushtri Visari e pa më së miri në luftimet e zhvilluara në Ratkoc më 12 maj, dhe sidomos më datën 14 maj në Gradish, ku vetë ai ishte pjesëmarrës i kësaj beteje, pa armë në dorë. Prandaj kjo gjendje e nxiti Visarin që t’i bënte presion Shtabit të Ratkocit për të organizuar shkuarjen për armë në Shqipëri. Dhe pikërisht pas një vendimi të shtabit lokal të Ratkocit, që e mori, vendosi ta dërgojë një grup prej 12 vetash në Shqipëri për armë.
Ai për herë të parë u përballë me forcat serbe në betejat luftarake të 12 majit dhe 14 majit të vitit 1998, që u zhvilluan në relacionin Ratkoc-Bratotin dhe, e dyta, në vendin e quajtur Gradish (Gexhë). Në betejën e dytë luftarake Visari u tregua mjaft i shkathët, duke u futur thellë e më thellë vijës luftarake. Në muajin qershor-korrik Visari u fut në njësinë për intervenime të shpejta (njësia speciale), e cila për dallim nga ushtria e rregullt, kishte për mision futjen e saj në luftë në frontet më të nxehta. Visari nëpërmjet njësisë speciale mori pjesë në aksionet e shpejta luftarake në Kramovik, që u organizuan me koordinim edhe me njësitë e tjera të Dukagjinit dhe Drenicës. Edhe në këto aksione u tregua i guximshëm dhe shumë i suksesshëm. Më datën 18 korrik të vitit 1998 u zhvillua beteja luftarake e (Bellacerkës)- Rahovecit, më e madhja në historinë e UÇK-së, kjo për faktin se e vetmja u zhvillua në vise urbane.
Visari me Safetin dhe me disa shokë të tjerë të UÇK-së, të batalionit të tretë, u angazhuan në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e varrimit të dëshmorit të kombit Sahit Krasniqit.
Në muajin shkurt të vitit 1999 komanda e batalionit III- të, brigada 124- të e Zonës Operative të Pashtrikut do të vendosej në fshatin Guri i Kuq, prej nga Visari me shumë shokë, ngado që shkonin në aksione dhe detyra të tjera luftarake, ktheheshin në bazë. Çdoherë kur kërkohej të kryej një detyrë, Visari do të ishte i pari së bashku me Safetin dhe shokët e tjerë. Prandaj Visari me Safetin dhe me disa shokë të tjerë, si njësi e batalionit III-të, me qëllim të ndihmës që kërkohej për luftë në fshatin Sferkë e Gashit, ata do të shkonin atje. Edhe në këto luftime, sipas deklaratave të shokëve bashkëluftëtarë, u dalluan për trimërinë dhe sukseset luftarake. Beteja e Gurit të Kuq, e zhvilluar më 29/30 mars të vitit 1999, ndërmjet forcave okupuese dhe UÇK-së, përkatësisht batalionit III-të, do të jetë njëra ndër betejat më të suksesshme, në të cilën Visari tregoi një akt të lartë trimërie, duke e hedhur në erë me granata një tank serb. Në betejën luftarake të Zatriqit, ushtarët e UÇK-së ishin pozicionuar në tri pjesë, batalioni III-të në pozicionet mbi fshatin Drenoc, disa të tjerë ishin vendosur në drejtim të rrugës për Rahovec, dhe një pjesë e ushtarëve të tjerë të brigadës 124 ishin vendosur mbi fshatin Ostrozub. Luftimet filluan në orën 16 të ditës së 17 prillit të vitit 1999.
Visari me Safetin gjatë këtyre luftimeve do të gjenden në pozicionet afër varrezave të fshatit Zatriq. Por, papritmas, ushtarët serbë do ta aplikojnë lojën e dinakërisë, duke shkuar në drejtim të pozicioneve të UÇK-së (në drejtim të Visarit dhe Safetit), duke u shtirë me zë të madh se gjoja po dorëzohen para UÇK-së. Me të parë Visari dhe Safeti, menjëherë, pa u hamendur, hapën zjarr në drejtim të tyre me një largësi prej 20-30 metrash dhe nga zjarri i armëve të tyre vriten disa ushtarë serbë. Ky akt Visarin dhe Safetin i trimëron edhe më shumë, prandaj futen edhe më thellë luftimeve. Kështu, shumë shpejt trimat e UÇK-së, në përballje zjarri me forcat serbe, bien në logun e mejdanit nga një snajper serb. Pra, pikërisht në mëngjesin e 18 prillit të vitit 1999 toka ëmë do të skuqet me gjakun e dy trimave, duke rezistuar në luftë deri në momentet e fundit të jetës.
Marrë nga libri: “Historiku i shkollës 4 Dëshmorët – Ratkoc. 1945/46 – 2017/18 (72 vjetori i themelimit).
Autor: Shani Hoti
/Gazeta Papirus/