Përkundër numrit të vogël të inspektorëve në komunën e Prishtinës, ata në 100 ditëshin e parë kanë realizuar aksione në pastrimin e Tokbashqës nga një numër i madh i mbeturinave dhe lodrave të shkatërruara, por edhe pastrimin e hapësirave brenda dhe në hyrjes të QKUK-së, largimin e një numri enorm të frigoriferëve, kiosqeve, si dhe mbylljen e disa deponove inerte ilegale.
Inspektorët kishin edhe disa aksione që ndërlidhen me zhurmën e gastronimve, aksione këto të cilat pritet të vazhdojnë. Kurse, në ditët në vijim do të nisni aksionet që ndërlidhen kryesisht me lirimin e hapësirave publike të cilat janë të uzurpuara, qoftë nga personat fizik, qoftë nga bizneset e ndryshme.
Drejtori i Inspekcionit në këtë kryeqytet, Florian Dushi, ka thënë për KosovaPress, se fillimisht kanë kërkuar nga gastronomet që të respektojnë rregulloren komunale. E për ata që nuk e kanë përfillur këtë kërkesë ka pas shqiptim të gjobave.
“Sa i përket zhurmës, ne fillimisht përmes disa njoftimeve që Drejtoria e Inspekcionit ka shpërndarë nëpër lokale dhe kryesisht në ato të gastronomisë, ka kërkuar nga të njëjtat që të respektojnë rregulloren komunale, që përcakton edhe orarin e muzikës por edhe orarin e punës përgjithësisht. Ndërkohë pas atij njoftimi kemi vazhduar me disa aksione në të cilat, ndonjëherë edhe ka pas gjoba por kërkesë e imja ka qenë që minimalisht, t’iu ikim gjobave, por thjesht të provojmë që këtë çështje që duket të jetë tepër problematike për zonat e caktuara të Prishtinës ta zgjidhim përmes një bashkëbisedimi dhe mirëkuptimit dhe me pronarët e bizneseve”, tha ai.
Dushi ka shtuar se numri i inspektorëve është i vogël, por se kanë kërkuar rritje të numrit të tyre me qëllim që të mund t’i përgjigjen të gjitha thirrjeve të qytetarëve.
“Kërkesat janë jashtëzakonisht të mëdha të qytetarëve të Prishtinës… Ne me kapacitetet aktuale po provojmë që t’i përgjigjemi secilës thirrje, kërkesë të qytetarëve, por megjithatë mund t’iu konfirmoj se numri i inspektorëve në Komunën e Prishtinës është tejet i vogël në raport me nevojat, kërkesat e qytetarëve. Edhe për këtë çështje kemi mirëkuptimin e plotë të kryetarit Rama që të rrisim numrin e inspektorëve me qëllimin e vetëm që t’iu dalim, t’iu përgjigjemi pozitivisht secilës thirrje të qytetarëve”, theksoi Dushi.
Dushi ka përmendur edhe aksionet që ai i ka konsideruar si më të rëndësishmet në tre muajt e parë të punës.
“Brenda këtyre tre muajve që ne e kemi marrë detyrën, aksionet më të rëndësishme do t’i konsideroja: pastrimin e Tokbashqës nga një numër i madh i mbeturinave dhe lodrave të shkatërruara, hapësirave të QKUK-së, hyrjes së QKUK-së, largimit të një numrit enorm të frigoriferëve, të kioskeve, aksionet që ndërlidhen me zhurmën, mbylljen e disa deponove inerte ilegale”, vijoi Dushi.
Sipas tij, disa nga këto aksione do të jenë të vazhdueshme, ndërsa ka përmendur edhe aksionet që do t’i zhvillojnë së shpejti.
“Disa nga këto aksione si i zhurmës do të jenë aksione të vazhdueshme, të cilat do të përsëriten kohë pas kohe…4:18 Ndër aksionet më të rëndësishme që priten edhe në ditët në vijim janë aksionet që ndërlidhen kryesisht me lirimin e hapësirave publike të cilat janë të uzurpuara, qoftë nga personat fizik, qoftë nga bizneset e ndryshme”, tha ai.