Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian (BE) në mënyrë që qytetarët e saj të lëvizin të lirë në zonën Shengen, është pohuar qe një kohë të gjatë madje edhe nga zyrtarët ndërkombëtare.
Por që këtë të drejtë nuk po e gëzojnë kosovarët madje po cilësohet edhe padrejtësi nga kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.
Murati në një intervistë për Ekonomia Online thotë se pas përmbushjes së kritereve çështja e mosrealizimit të vizave për Kosovën është më shumë produkt i luftës së brendshme të shteteve anëtare të BE-së.
“Kosovës në këtë drejtim i bëhet tash e sa vite e padrejtësi e madhe dhe padrejtësia është bërë prej kur i është vendosur ai kushti i demarkacionit me Malin e Zi. Për kundër plotësimit të atij kushti me shumë vështirësi siç e dimë të gjithë dhe me një acarim të jashtëzakonshëm të jetës politike në vend dhe ta them asaj institucionale ne vazhdojmë të mos kemi viza”.
Duhet ta kemi parasysh kushtet janë plotësuar me kohë, lufta kundër korrupsionit, kudër krimit të organizuar është një synim i pandalshëm i njerëzimit jo vetëm i joni po edhe i shteteve më të zhvilluara. Çështja e mosrealizimit të vizave për Kosovën është më shumë produkt i luftës së brendshme të shteteve “.
Por kryetari i Lëvizjes për Bashkim thotë se nuk ka pasur ndonjë qasje të veçantë të Qeverisë. Prandaj sipas tij, duhet të kihet kujdes në raport me shtetet si Franca e Holanda, duhet shtuar se të këto dy shtete janë ngërçet kryesore për këtë çështje.
Murati shton se pasi që Kosova ka pozicion të brishtë në rrafshin ndërkombëtar, moskujdesi në raportet me marrëdhëniet me këto shtete mund të na kushtojë shumë.
“Unë nuk kam pa ndonjë qasje të veçantë, Kosova i ka plotësuar kushtet në vitin 2016, i ka rikonfirmuar në vitin 2018 edhe me këtë çështjen e demarkacionit. Qeveria atë çka duhet të bëjë është këto takimet bilaterale sidomos me Francën dhe me Holandën sepse aty janë ngërçet dhe ngecjet. Nuk është Brukseli adresa, është e gabueshme. Brukseli e ka thënë po, institucionet e BE-së e kanë thënë po ngërçet janë te këto shtete dhe duhet një diplomaci aktive në këtë drejtim. Prandaj duhet të kemi kujdes se si sillemi me ta, në tërë gamën e marrëdhënieve me këto shtete ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse çfarë do moskujdesi ne mund të na kushtoj shumë. Për shkak se ne kemi një pozicion të brishtë duhet ta pranojmë, nuk jemi anëtarë të shumicës së organizatave të rëndësishme ndërkombëtare”.
Edhe analisti politik, Arbnor Sadiku thotë se mos heqja e vizave është padrejtësi e madhe. Sadiku thotë se disa vende për shembull si Franca për të ruajtur raportet e mira ekonomike me Serbinë nuk janë pro heqjes së vizave.
Por këtë çështje ai e lidh edhe me probleme të brendshme, duke përmendur ndërprerjen e energjisë elektrike vitin e kaluar, kjo ndikon negativisht në krijimit të opinionit pozitiv të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
“Realisht është bërë një padrejtësi e madhe, sepse Kosova siç dihet ka plotësuar të gjitha teknike për liberalizim të vizave dhe siç e dimë prej 22 milionë banorëve të Ballkanit Perëndimorë vetëm Kosova nuk është e kyçur aktualisht me liberalizim të vizave dhe nuk janë 1.7 milionë banorë të rrezikshëm për Bashkimin Evropian siç po e paraqet tanimë politika evropiane aq shumë sa që të mos liberalizohen vizat po këtu ka qenë më tepër konotacioni politik. Disa vende për shembull si Franca për të ruajtur raportet e mira ekonomike me Serbinë nuk na ka liberalizuar vizat sepse si me thënë ka qenë kërkesë e Serbisë të mos i liberalizohen vizat Kosovës dhe këto aleanca tradicionale në mes të disa vendeve të BE dhe Serbisë janë ruajtur akoma dhe vazhdojnë më tej”.
“Kosova i ka bërë përpjekjet e veta veçanërisht në përmirësimin e kritereve teknike, ka qenë një huqje e madhe le të themi mungesa e energjisë elektrike në periudhën e dhjetorit dhe janarit në vitin 2022 për arsye se kjo krijon një huti tek arena ndërkombëtare dhe nëse t’i nuk ke energji elektrike në shekullin 21, atëherë tregon që ky vend nuk ka mirëqenie dhe të rinjtë do të ikin nga Kosova nuk do të qëndrojnë në Kosovë. Kjo ndikon negativisht në aspektin e liberalizimit të vizave dhe krijimit të opinionit pozitiv tek shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”.