Prapa sulmeve të zyrtarëve të Policisë së Kosovës qëndrojnë strukturat kriminale të financuara dhe përkrahura drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Kështu tha për rtv21.tv Fidan Ukaj, njohës i sigurisë.
Ukaj tha gjithashtu se në vazhdimësi këto struktura kriminale kanë krijuar probleme në veri të Kosovës.
“E kemi parë në një takim që kishte presidenti Vuçiq me disa nga oponentët e tij, përfaqësues fatkeqësisht të institucioneve tona. E pamë edhe personin ose kryekriminelin Radojiçiq, i cili ishte shumë afër presidentit Vuçiq”, tha Ukaj, duke shtuar se kjo dëshmon se Serbia nuk është larguar nga përkrahja e këtyre strukturave kriminale dhe vazhdon t’i përkrah dhe t’i financojë fatkeqësisht për të krijuar kësi destabilizimi në Kosovë.
Sipas tij, e ashtuquajtura qendra humanitare në Nish, që është qendër e spiunazhit rus, po ashtu i kontribuon destabilizimit të rajonit.
“Përmes kësaj, duke e ditur dhe gjendjen në luftën në Ukrainë – Rusi, mendoj që përmes kësaj qendre dhe oponentëve të tij të tjerë që janë në Kosovë, provohet që problemi të shtrihet edhe në territorin e Ballkanit dhe pjesë të Evropës”, tha Ukaj.
I pyetur se a ka vend për shqetësim, njohësi i sigurisë theksoi se KFOR-i duhet të angazhohet në veri të Kosovës.
“KFOR-i është një prej tre komponentëve të sigurisë në Kosovë dhe sigurisht që duhet të angazhohet në atë pjesë, pasi që institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të shtrijnë ligjshmërinë e plotë dhe të ofrojnë sigurinë e plotë në atë pjesë. Sigurish që duhet të ftohet KFOR-i dhe të merret situata në kontroll”, theksoi Ukaj.
KFOR-i sot tha për rtv21.tv se janë në gatishmëri për të mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është e nevojshme dhe nëse kërkohet.
Theksuan se presin që të gjitha palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet, të ndikojnë negativisht në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.
Zyrtarët e Policisë së Kosovë janë sulmuar katër herë gjatë tre ditëve të fundit, në veri të vendit.
“Dje dhe sot herët, një breshër plumbash dhe një granatë dore u hodhën drejt policisë sonë”, njoftoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kjo bëri që presidentja Vjosa Osmani sot të mbledh strukturat e sigurisë së Kosovës./21Media