Anëtari i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, ka thënë se njëra prej arsyeve se pse është ndarë Lëvizja Vetëvendosje është pikërisht rasti i Astrit Deharit.
Ai tha se keqpërdorimi i këtij rasti nga tash kryeministri Albin Kurti, ka çuar në kundërshtime të forta, që kanë ardhur pastaj deri tek ndarja.
“Një prej arsyeve të ndarjes ka qenë kjo, keqpërdorimi i rastit Dehari është një prej pikave që ne nuk jemi pajtuar fare dhe e kemi kundërshtuar Albin Kurtin fuqishëm sa kemi qenë brenda, tjetër që ai ka vazhduar kokë në vete”, ka thënë Krasniqi në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Ai thotë se dallimi mes Albin Kurti dhe tashmë personave që kanë dalë nga kjo parti është se Vetëvendosje në atë kohë kishte vendim kryesie që të mos dalin publikisht e të konkludojnë se a ka qenë vrasje apo vetëvrasje, por vetëm të flasin se sa e padrejtë, sipas tyre, ka qenë vdekja e tij në burg.
Më tej, Krasniqi thotë se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk e do drejtësinë për Astrit Deharin, teksa Kurtin e Haxhiun i quajti edhe të pandjeshëm për këtë rast.
“VV-ja nuk e do drejtësinë për Astrin Deharin. VV-ja e ka dhënë verdiktin e saj se çka ka ndodhur, kur ka dal Albin Kurti dhe ka thënë për versionin e tij se është vrasje, këta e kanë përfunduar se çka kanë pasur të thonë”.
“Ne kemi qenë kundër që Astriti të keqpërdoret, ne e kemi pasur shok Astritin. Nuk kemi qenë të pandjeshëm siç janë sot Albin Kurti e Albulena Haxhiu që dalin e flasin sa herë t’iu duhet për fushatë”, është shprehur Krasniqi, njofton Klankosova.tv.