Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka gjetur se pesë ushtarët e FSK’së nuk janë helmuar nga ushqimi që kishin ngrënë për syfyr në Mensën e FSK’së në Gjilan, raporton Express.
Në një përgjigje për Gazetën Express, nga IKSHP’ja kanë thënë se s’janë gjetur bakterie patogjene që shkaktojnë helmim, por se në mostrën e sallatës janë gjetur baktere të gjalla.
“Analizat mikrobiologjike, respektivisht rezultatet e koprokulturës kanë rezultuar pa bakterie patogjene të cilat shkaktojnë helmim me ushqim. Në mostrën e sallatës është identifikuar numri i përgjithshëm i baktereve të gjalla mezofile 3200 cfu gr/ml’, kanë deklaruar nga IKSHP’ja.
Ky institucion rekomandon që të apikohen masa më rigoroze gjatë përgatitjes së ushqimit në mënyrë higjenike dhe të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta për helmim.
Të gjithë operatorët ekonomik duhet t`iu përshtaten standardeve të përpunimit dhe përgatitjes së ushqimit ku në përpikëri duhet të zbatojnë procedurat e HACCP si dhe përmbushja e standardeve bazike higjienike.
Mbikëqyrja sanitare dhe pajisja me libreza sanitare për të gjithë punëtorët si dhe respektimi i instruksioneve nga inspektoratet.
Marrja e të gjitha masave higjienike të cilat do të pengonin mekanizmin fekalo-oral të përhapjes së sëmundjes duke përfshirë DDD”, janë rekomandimet e tjera.
Ndryshe, pesë ushtarë të FSK’së kanë shfaqur simptoma helmimi, para një jave, pas syfirit që kanë ngrënë në mensë. Kanë pasur dhimbje barku, por jo edhe vjellje apo jashtëqitje.