Të mërkurën e kaluar, policia e krimeve ekonomike, ka trokitur në derën e RTK-së. Këtë herë me kërkesën për mbledhjen e dokumentacionit për një marrëveshje të arritur mes ud.Drejtorit të Përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj dhe shokut të tij të ngushtë Arsim Halili për ta tërhequr një padi nga gjykata e apelit, tërheqja e së cilës do t’i mundësonte Halilit që të vendosej në pozitën e u.d. zv/Drejtor i Përgjithshëm.
Gjithashtu sipas kësaj marrëveshje RTK do t’i paguante një shumë të konsiderueshme parash z.Halili si dëmshpërblim. Këtë e ka konfirmuar për redaksinë, një zyrtar administrativ i RTK-së, në kushte anonimiteti.
Fillimi i hetimeve nga policia si duket ishte edhe arsyeja që Arsim Halili publikisht tha që ka vendosur që të heq dorë nga kompenzimi prej 21 mijë eurove. Halili ishte munduar dje që të paraqitej si ‘shpëtimtar’ i RTK-së dhe se gjoja nuk do ta dëmtojë buxhetin e RTK. Por arsyeja po duket të jetë frika nga ngritja e një kallximi penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi dhe ushtrim ndikimi.
Sipas informacioneve, RTK që 1 javë ende nuk ia ka dorëzuar policisë dokumentet e kërkuara. Megjithatë, veprimi i ndërmarrë nga u.d Drejtori i Përgjithshëm ka shkaktuar një sërë problemesh zingjirore që përbëjnë shkelje ligjore.
Rasti ka të bëjë me suspendimin dhe degradimin e Arsim Halilit nga pozita e redaktorit në gazetar nga komisioni diciplinor i RTK-së për shkak të ofendimit të komunitetit LGBT pas një proteste të këtij komuniteti në Prishtinë në vitin 2016.
Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com ka raportuar gjatë muajit mars, përmes dokumentit që konfirmonte marrëveshjen mes Ahmetxhekajt e Halilit.
Si qytetar i këtij vendi që mëton me shpërthy izolimin shumëvjeçar, i kam tri pyetje koncize: A është edhe LGBT, kusht për liberalizimin e vizave? Ky kusht a plotësohet me sapun, a pa sapun? Edhe e treta, për liberalizim vizash, a ma mirë me sakrifiku me demarkacion a me thobë?!””, kishte shkruar Halili ditën e protestës së komunitetit LGBT.
Menaxhmenti i RTK-së e pat suspenduar dhe degraduar pas vendimit të komisionit diciplinor të RTK-së, për gjuhë ofenduese ndaj një komuniteti të caktuar dhe për shkelje të etikës dhe standardeve profesionale. Arsim Halili ishte ankuar në gjykatë dhe në vitin 2018, pas një procesi gjyqësorë, Gjykata Themelore vendos në favor të tij. RTK ishte ankuar në Gjykatën e Apelit duke paraqitur fakte të reja për shkeljet që i kishte bërë Gjykata Themelore kundër RTK-së dhe ishin në pritje të vendimit në favor të tyre për shkak se shkeljet që kishte bërë Arsim Halili ishin evidente, publike dhe kishin zgjuar reagime të shumta si nga shoqëria civile dhe mediat kundër gjuhës ofenduese dhe homofobike nga një redaktor i RTK-së.
Por, këtë proces e ndali në gjysmë, miku i ngushtë i Arsim Halilit, tashmë U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm Shkumbin Ahmetgjekaj. Ky tërhoqi ankesën e RTK-së nga Gjykata e Apelit dhe bëri shokun e tij të fitojë pozitën e zv/drejtorit gjeneral.
Marrëveshje është nënshkruar me 27 respektivisht me 28 janar të këtij viti. Në të thuhet se RTK dhe Arsim Halili janë pajtuar që të rregullojnë raportet e ndërsjella dhe të përmbyllin çështjet gjyqësore pa vazhduar tutje në procese gjyqësore.
“RTK është pajtuar që i punësuari Arsim Halili do të vazhdoj punën e tij në televizionin Publik, në pozitën Redaktor I lajmeve në RTK1”, thuhet në marrëveshje.
Ndërsa Televizioni Publik sipas marrëveshjes detyrohet që të tërhjek ankesën në rastin e Halilit dhe t`ia paguaj në tërësi shumën sipas aktvendimit të gjykatës Themelore.
“Arsim Halili dhe RTK deklarojnë se përvec kompenzimit dhe kthimit në vendin e tij të mëparshëm të punës nuk kanë ndonjë kërkesë të cfarëdo natyre apo ndonjë pretendimi tjetër financiar ndaj njëra tjetrës, lidhur me kërkesat që kanë pasur deri më sot dhe deri në lidhjen e kësaj marrëveshje”, thuhet në marrëveshjen në mes të Ahmetxhekajt dhe Halilit.
Ahmetgjekaj e ka njoftuar edhe Komisionin Parlamentar për Financa për këtë çështje dhe për çudi asnjëri nga deputetët në këtë komision nuk reaguan. Ahmetxhekaj e kishte tërhequr padinë nga Gjykata e Apelit vetëm një ditë para se ta emëronte shokun e tij në pozitën e zv/Drejtorit të Përgjithshëm pa pritur përfundimin e konkursit për Drejtor të Përgjithshëm dhe duke mos përfillur procedurat ligjore.
Për këtë çështje ka reaguar menjëherë edhe kryetari i SPRTK, Fadil Hoxha, i cili në profilin e tij në facebook ka thënë se Shkumbin Ahmetgjekaj me këtë rast i ka shkaktuar humbje 9328 euro pa e pritur vendimin përfundimtar të Gjykatës.
Ud.drejtori gjeneral i RTK-se, Shkumbin Ahmetxhekaj, duke mos e pritur vendimin perfundimtar te gjykates e ka terhequr ankesen e RTK-se ne gjykaten e apelit, ndaj ud.zv. drejtorit gjeneral, Arsim Halili. Me kete rast, RTK-se ia ka shkaktuar 9328 euro humbje te cilat paskan shkuar ne kuleten e vartesit te tij Arsim Halili, te cilin vetem tri dite pasi ia ka terhequr padine e ka emeruar ud.zv. drejtor gjeneral”, shkruan Hoxha.
Ahmetxhekaj dhe Halili janë shokë të ngushtë dhe veprimi i Ahmetxhekajt paraqet konflikt interesi
Periskopi merr vesh që për këtë rast, Shkumbin Ahmetxhekaj, Arsim Halili dhe kryetari i bordit Besnik Boletini janë duke u hetuar nga organet e drejtësisë. Gjithashtu merret vesh se shumë punëtorë të RTK-së të cilët u shkarkuan këto ditë kanë ngritur padi ndaj vendimeve të z.Ahmetgjekaj dhe bordit të RTK-së që potencialisht do ta dëmtojnë materialisht RTK-në në të ardhmen.
Nga Prokuroria e Kosovës jozyrtarisht merret vesh që deri më tash, ndër vite, 6 drejtorë të RTK-së janë përballur me aktakuza dhe procese gjyqësore ndërsa listës së të dyshuarve iu bashkuan edhe Ud.Drejtori i Përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj dhe Arsim Halili i cili për momentin mban pozitën e ud.Zv/Drejtorit të Përgjithshëm dhe kryetari i Bordit të RTK-së Besnik Boletini i cili nuk e ka parandaluar këtë veprim edhe pse si kryetar i bordit e ka pasur një mundësi të tillë.