Perëndimi ka deklaruar që prej nisjes së luftimeve në Ukrainë, se përdorimi i armëve kimike apo i atyre të shkatërrimit në masë nga ana e Rusisë do të ishin “vija e kuqe” e cila me shumë mundësi do të ndryshonte dhe drejtimin e luftës.
Raportime të ndryshme erdhën mëngjesin e së hënës nga Mariupoli ku brigada ukrainase Azov deklaroi se armatime me fosfor u hodhën në qytetin port, lajme të cilat u mohuan menjëherë nga Rusia dhe luftëtarët e saj në këtë rajon.
Për këtë çështje reagoi dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili u shpreh se SHBA nuk mundet ende të verifikojë vërtetësinë e përdorimit të armëve kimike në Ukrainë.
Gjatë një konferencë për shtyp, Blinken u shpreh se “Për momentin nuk jemi në pozitat për të konfirmuar këtë gjë dhe besoj se nuk janë as ukrainasit”.