Partitë opozitare në Kosovë vazhdimisht po e akuzojnë Qeverinë se nuk po merr veprime konkrete për çështjet me rëndësi në vend.
Mirëpo, nuk i kanë votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë, dhe se alternativa e vetme është nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, heqë dorë nga pozita, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se do të ishte lajm i mirë për Kosovën fundi i Qeverisë Kurti 2.
“Mendoj që do të ishte lajm i mirë për Kosovën që kjo Qeveri të marrë fund sa më shpejt. Po them se kjo shumicë parlamentare po të kishte agjendë të qartë, po të kishte veprime konkrete në kontekst të zhvillimit ekonomik dhe mbylljes së dialogut me Serbinë, do të dëshironim të zgjaste. Ne si opozitë po merremi me veten, po punojmë me strukturat tona dhe kurdo që të vijnë zgjedhjet të jemi të gatshëm për ta sfiduar me program”, ka thënë Selmanaj.
Ai ka thënë se Qeveria aktuale është arrogante dhe e paditur.
“Kjo Qeveri ka arrogancë dhe padituri”, tha Selmanaj.
Edhe PDK-ja ka shtuar se është e gatshme për zgjedhjet e reja.
“Ne si opozitë jemi gjithmonë të gatshëm për zgjedhje të reja. Jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje mirëpo nuk e kemi fuqinë që ne ta rrëzojmë Qeverinë dhe ta dërgojmë vendin në zgjedhje. Është vetë zotëri Kurti që ka 61 vota plus dhe ai është i vetmi që mund ta dërgojë vendin në zgjedhje”, tha deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se po punojnë vazhdimisht për ta rrëzuar këtë Qeveri.
“Ne si opozitë gjithmonë jemi për zgjedhje sepse ne punojmë që të mbrojmë atë që quhet qytetari i Kosovës dhe nëse Qeveria nuk ka punuar për një vit atëherë nuk i mbetet gjë tjetër përpos që të shkojmë në zgjedhje dhe të matet sepse qytetarët e kanë parë që kjo Qeveri nuk punon në të mirën e tyre dhe të vendit dhe ne punojmë që sa më parë të largojmë këtë Qeveri. AAK-ja është e gatshme çdo herë për zgjedhje dhe në opozitë jemi aktiv në të mirën e vendit dhe qytetarëve”, tha Lekaj.
Kurse Deputeti i VV-së, Enver Dugolli shtoi se nuk është koha për zgjedhje, raporton EO.
“Zgjedhjet kanë përfunduar edhe ato qendrore edhe lokale dhe ishin të suksesshme”, tha Dugolli./EO