NISMA Socialdemokrate ka reaguar pas deklaratës së ish-politikanit zviceran Dick Marty, se është në mbrojtje të policisë 24 orë, pasi serbët siç tha ai deshën ta vrasin që t’ua lënë fajin shqiptarëve.
NISMA nëpërmjet një komunikate për media tha se tërheqja e Martyt nga shërbimi që i ka bërë shërbimit sekret serb që ka planifikuar edhe vrasjen e tij, është ndihma më e madhe që ai mund t’i japë drejtësisë.
“Prandaj, tërheqja publike e Dick Martyt nga shërbimi që i ka bërë shërbimit sekret serb që ka planifikuar edhe vrasjen e tij, është ndihma më e madhe që ai mund t’i japë drejtësisë”.
Kjo parti thekson se Shërbimi Sekret i Serbisë nuk ngurroi të vrasë edhe fëmijë serbë dhe malazes vetëm e vetëm t’u lihet faji shqiptarëve.
Në funksion të dëmtimit të çështjes së pavarësisë së Kosovës, Shërbimi Sekret i Serbisë kishte planifikuar të vriste Dick Martyn dhe për këtë vrasje të fajësonte shqiptarët. Një lajm i tillë mund të befasojë ata që nuk e njohin funksionimin e shërbimit sekret serb. Të gjithë njohësit e asaj çfarë ka ndodhur gjatë luftërave në procesin e shpërbërjes së Federatës Jugosllave e dinë fare mirë se Shërbimi Sekret i Serbisë nuk ngurroi të vrasë edhe fëmijë serbë dhe malazes vetëm e vetëm t’u lihet faji shqiptarëve (Rasti në kafenenë “Panda” është vetëm njëri nga rastet e shumta). Prandaj lajmi që Dik Marty është në mbrojtje të lartë policore për shkak që shërbimet serbe kanë dashur ta vrasin me qëllim që t’ua lënë fajin shqiptarëve, konfirmon katërcipërisht se ky shtet nuk ka hequr dorë nga logjika terroriste e funksionimit të tij”.