28-vjeçari shqiptar Ervis Onuzi me detyrë polic i ndërhyrjeve speciale “SEPTA” në Amerikë, po konsiderohet si hero nga komuniteti i Frankfordit të Philadelphias, pasi i shpëtoi jetën kolegut të tij gjatë një shkëmbim zjarri me një kriminel.
I riu shqiptar me origjinë nga Kukësi bashkë me një ekip të policisë kishin shkuar në Frankford pasi një burrë i armatosur kishte hapur zjarr ndaj njerëzve që kalonin në rrugë dhe dy gra ishin plagosur. Por në një moment një oficer policie u gjend në vështirësi teksa po shkëmbente zjarr me personin e armatosur.
Pikërisht në këtë moment shqiptari Ervis Onuzi vrapoi për t’i shpëtuar jetën oficerit dhe duke i kërkuar oficerit të largohej nxorri armën e tij për të qëlluar ndaj burrit të armatosur. Por teksa i shpëtonte jetën kolegut mbeti vetë i plagosur rëndë, pasi u qëllua me një plumb në bark.
Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin Universitar Temple ku iu nënshtrua një operacioni pasi ishte në gjendje kritike për jetën. Shefi i policisë Thomas Nestel tha se pret që polici shqiptar të rikuperohet sa më shpejt ndërsa e quajti atë një “oficer të madh policie”.
Ka kaq shumë oficerë policie fantastik atje. Nuk ka rëndësi arnimi që mbajnë dhe distinktivi që është në gjoksin e tyre. Oficerët e policisë i bëjnë këto gjëra kur vëllezërit dhe motrat e tyre janë në rrezik. Kjo është ajo që të gjithë ne si drejtues policie pothuajse mësojnë të presin, por heroizmi, guximi dhe trimëria që këta njerëz shfaqin çdo ditë është përulëse.
Ndërkohë kolegët e tij e duartrokitën Onuzin për aktin e heroizmit që bëri ndërsa mezi presin që ai të shërohet sa më parë dhe t’i kthehet punës ashtu siç ka bërë prej 3 viteve.