Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje vitin e kaluar që parasheh se veturat me targa të Serbisë që futen në Kosovë dhe ato me targa të Kosovës që futen në Serbi të vendosin disa stickera që mbulojnë një pjesë të targave, por kjo u kalua me shumë tensione.
Dy javë para se të nënshkruhej kjo marrëveshje, serbët e veriut në Kosovë bllokuan rrugët kryesore që çojnë në vendkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, për shkak të vendimit të qeverisë së Kosovës për ta vendosur masën reciproke për çështjen e targave.
Marrëveshja e përkohshme e targave duhet të zëvendësohet me një marrëveshje përfundimtare. Grupet e punës, të formuara rreth gjashtë muaj më parë që përfaqësojnë Serbinë, Kosovën dhe Bashkimin Europian do të paraqesin opsionet e tyre për një zgjidhje të përhershme për këtë çështje, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së më së voni deri më 21 prill.
Në një prononcim për Evropa e Lirë, Oliver Vujovic, një serb që punon në Kosovë tha se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë një zgjedhje kompromisi, por tani me afrimin e afatit për arritjen e kësaj marrëveshjeje, nuk është asgjë e sigurtë.
Kam frikë se pas skadimit (afati për arritjen e zgjidhjes përfundimtare”, gjithçka do të kthehet në mënyrën e vjetër”, tha Vujoviq.
Për të, ngjitja e stikerave të bardha mbi simble është ende një zgjidhje më e mirë sesa targat e provës.
Ndonëse kanë mbetur rreth dhjetë ditë deri në skadimin e këtij afati, ende njerëzit nuk i dinë propozimet e sakta për një zgjidhje të përhershme dhe se sa afër janë palët për një marrëveshje.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak tha se grupet e punës u takuan më 7 prill dhe se duhet urgjentisht të gjindet një zgjidhje kompromisi për përmirësimin e lirisë së lëvizjes.
Është përgjegjësi e të dyja palëve të bien dakord për zgjidhjen”, shkroi Lajçka.
Sipas burimeve diplomatike të Radio Evropa e Lirë, një takim tjetër në Bruksel do të mbahet para datës 21 prill, kur edhe skadon afati për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për targat, transmeton lajmi.net.
Nëse deri atëherë nuk gjendet zgjidhje, Kosova mund të aplikojë sërish masa reciproke ndaj Serbisë, gjë që mund të rrezikojë, siç ka treguar praktika edhe më herët, tensione në veri.
Pala kosovare nuk dëshiron që të arrihet një zgjidhje tjetër e përkohshme dhe thekson se mandati i grupit punues është gjeta e një zgjidhjeje të përhershme dhe jo një zgjidhjeje tjetër të përkohshme. Sipas të njëjtave burime, “ka hapësirë për kompromis” dhe në tavolinë ka propozime që mund t’i pranojnë të dyja palët.
Një zgjidhje mund të jetë njohja reciproke e targave të Kosovës dhe Serbisë, por ka edhe propozime dhe ide të tjera, për të cilat të dyja palët duhet të vendosin.
Burime diplomatike nga Brukseli gjithashtu kanë thënë se pala kosovare “ka treguar gatishmëri për të pranuar disa nga propozimet”, por se pala e Beogradit ende nuk ka bërë ndonjë deklaratë të qartë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me emisarin Miroslav Lajçak nën margjinat e Forumit Ekonomik Grek për të diskutuar çështjen e targave.
Sipas një komunikate të qeverisë së Kosovës, Kurti ka theksuar se afati për zgjidhjen përfundimate skadon për dy javë, por nuk ka specifikuar detaje për ecurinë e bisedimeve për këtë çështje.
Evropa e Lirë iu është drejtuar qeverisë së Kosovës me pyetjen se a është afër një marrëveshje përfundimtare për targat e regjistrimit dhe cilat propozime janë diskutuar derimë tani, por nuk ka marrë përgjigje. Të njëjtat pyetje janë dërguar në të ashtuquajturën “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, por përgjigje nuk ka pasur.
Një zgjidhje tjetër e përkohshme për çështjen e targavë është parë me dyshim nga ekspertët për Ballkanin, duke thënë se është e mundshme që skenare të tensioneve të fillojnë sërish në veri të Kosovës.
Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 janë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe deri më tani janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje, pjesa më e madhe e tyre, të pazbatuara.
Aktualisht, negociatat në nivel politik udhëhiqen nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq të cilët u takuan vetëm dy herë vitin e kaluar, por pa asnjë sukses.
Dialogun në nivel teknik midis Kosovës dhe Serbisë e udhëheqin zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.