Aksionet e fundit të Policisë së Kosovës për luftimin e krimit brenda policisë, sipas deputetit Adnan Rrustemi të VV-së, janë bërë frymëzim edhe për Policinë e Shqipërisë që t’i pastrojë radhët e veta.
Deputeti Rrustemi, meritat për luftimin e krimit të organizuar në dy shtetet, ia ka dhënë ministrit të Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla.
“Xhelal Sveçla po i ndihmon integrimit Kosovë-Shqipëri dhe luftimit të krimit të organizuar në të dy anët. Nuk po ka arrestime veç në pikën kufitare të Kosovës, por edhe të Shqipërisë tash”, ka shkruar Rrustemi, duke mos specifikuar se çfarë lloji të luftimi të krimit policor i referohej për Shqipërinë.
Me këtë dekleratë të Rrustemit, do të “shkrihej” së qeshuri Kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Sigurisë, Bekë Berisha i cili gjatë javës së kaluar ishtë përplasur me deputetin e VV-së, Enver Dugolli në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë komision, Dugolli kishte thënë se Berisha tërë kohën po gozhdon drejtorin e Policisë dhe nuk e ka inkurajuar që ta luftojë krimin.
“Tërë kohën e gozhduat drejtorin se po shpiknin krim, po bëni, po luftoni. Ju duhet me inkuraju policët e drejtorin për me luftu krimin”, ishte shprehur Dugolli.
Duke u tallur me Dugollin, Bekë Berisha iu kishte kundërpërgjigjur duke thënë se, “Qetash e inkurajoj”.