Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, së fundmi ka publikuar një fotografi skandaloze, përmes së cilës ka krahasuar sindikalistët që protestuan sot me kafshë, më konkretisht me qentë.
Në llogarinë e tij në Instagram, Manxhuka ka publikuar një fotografi të disa qenve në rrugë, krahas së cilës ka shkruar “protestë, bllokadë”, përcjell Demokracia.com.
Ky postim i tij vjen pikërisht në ditën kur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura te Kosovës (BSPK) ka protestuar në sheshet kryesore të Prishtinës.
Sindikalistët po kërkojnë nga Kurti rritjen e pagave, zbatimin e Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, si dhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale, përcjell Demokracia.com.
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, të premten gjatë protestës tha se nuk do të vazhdojnë të durojnë qeverinë pa zbatuar kërkesat e tyre.
Ndërsa, udhëheqësi i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, tha se prej datës 20 prill do të jenë në grevë, nëse kërkesat e tyre hasin në veshë të shurdhër.
Paraprakisht, sindikalistët parakaluan nëpër rrugët e kryeqytetit dhe e përfunduan protestën para objektit qeveritar./Demokracia.com