Princ Valentino Corleone është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës për ta mbajtur një muaj paraburgim si i dyshuar për kanosje. Corleone u transferua në BSL pasi në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë, ku Gjykata mori vendim që i njëjti të dërgohet, nuk pati vend.
Kështu kanë bërë të ditur burimet e Sinjalit dhe kanë njoftuar se për shkak se nuk ka pasur vende të lira në këtë Institut, Corleone është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë, për të mbajtur masën e paraburgimit, që mund të zgjasë deri më 21 prill.
Vali Corleone u arrestua më 21 mars, pasi dyshohet se e ka kërcënuar babain e tij, duke tentuar që ta largojë nga shtëpia. Prokuroria i kërkoi Gjykatës që i njëjti të ndalohet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë, me qëllim të ekzaminimit dhe observimit.
Vali Corleone dyshohet se rreth orës 02:00 pas mesnatës së 21 marsit, me dashje dhe me qëllim të ushtrimit të pushtetit, kontrollit dhe cenimit të dinjitetit te babai i tij, përmes sjelljeve dhe fjalëve ka nxitur frikë duke e kanosur dhe duke tentuar që të njëjtin ta largojë nga shtëpia.Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës: “Kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 (tre) vjet.