Ministri i Financave, Hekuran Murati, në replika me ish-ministren e këtij dikasteri, Hykmete Bajrami, ka thënë se sa i përket ndarjeve të mjeteve financiare për import të energjisë elektrike, Kosova ka ndarë më së paku në krahasim me shtetet e rajonit.
Murati përmendi se Shqipëria deri në fundit të vitit parasheh t’i shpenzojë 650 milionë euro për import, Maqedonia deri më tani ka shpenzuar mbi 100 milionë, ndërsa Kosova sipas tij, falë resurseve ka mjaftuar që të ndahen 120 milionë euro.
Tutje, i pari i Ministrisë së Financave, ka thënë se paga minimale do të rregullohet shumë shpejt.
“Paga minimale do të rregullohet shumë shpejtë. Ka pasur kundërshtime nga sindikatat, kanë arsyet e veta jo të qëndrueshme sepse asnjë anëtar i atyre sindikatave nuk preket nga ky vendim as nga paga minimale, por janë arsye politike të cilat sindikatat nuk do të duhej të bënin politikë”, është shprehur Murati.
Më tej, Murati tha se sa i përket faturave të papaguara, ndërmarrjet duhet të merren vetë me borxhet, ku theksoi se kanë paguar borxhe të vitit 2011 e vitit 2013 për shpronësime.
“Kemi paguar borxhe të vitit 2013 për shpronësime. Kemi paguar borxhe nga vitit 2011. Nuk mund të thuhet se janë paguar borxhet sepse nëse do të ishin paguar, s’më kishin ardhur borxhet e vitit 2013 e vitit 2011”, ka thënë Murati.