Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar qytetarëve nga vetura e saj, derisa ishte rrugës për në Gjilan.
Osmani, tha se ka kohë që kanë planifikuar që t’i nisin vizitat nëpër komuna të Kosovës, e tani sipas saj, është e domosdoshme që të ulen me kryetarët e komunave, që të flasin për sfidat me të cilat ballafaqohen e të shohin se si mund t’i kalojnë ato së bashku.
“Kemi filluar me komunën e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga kryetari më i ri në moshë për të parë se çfarë punë po bëhen e çfarë punë mund të bëjmë bashkë tash e tutje”.
“Do të vazhdojmë me përurimin e punimeve në një shkollë në mënyrë që të kenë qasje të gjithë nxënësit që janë me nevoja të veçanta. Ky përurim do të bëhet në bashkëpunim me UNICEF-in”, është shprehur Osmani, transmeton Klankosova.tv.
E para e shtetit tha se sot, iftarin do ta presin në një familje dëshmori, pas vizitave që do t’i bëjnë në disa OJQ e biznese.