Anëtari i Kryesisë së Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli, ka paralajmëruar se do të ketë grevë të infermierëve në rast se Qeveria e Kosovës nuk i plotëson kushtet që po i kërkojnë.
Havolli në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se kërkesa e tyre është që me Ligjin e Pagave koeficienti për infermierët të jetë 7.1, nëse ai i mjekëve do të jetë 10.1. Ai i është referuar draftit të Ligjit të Pagave që kishte qarkulluar në media.
Sot infermierët në QKUK kanë mbajtur grevë njëorëshe. Gjatë kësaj periudhe Havolli ka thënë se është përkujdesur që të ofrohen shërbimet minimale.
“Greva është opsioni i fundit. E mendojmë si të fundit. Por nëse nuk merren parasysh kërkesat tona që janë legjitime, e nuk po kërkojmë luks, atëherë do ta shqyrtojmë mundësinë e grevës. Ishalla ka vullnet. Me pagat aktuale e kemi vetëm mbijetesë të infermierëve e jo jetesë”, ka thënë Havolli. “Nuk duam të përdorim modele si të Kroacisë. Deri atëherë nuk kishte pasur ndryshime në sistem shëndetësor në Kroaci, por pati humbje të jetëve të njerëzve kur u bllokua total emergjenca. Ne nuk duam të vijë te kjo, duam të gjejmë gjuhë të përbashkët”.
Ai ka thënë se momentalisht paga e infermierit është 400-420 euro.
“Me koeficientin që është parë në draftin paga neto do të ishte mbi 700 euro. Nëse e marrim një karahasim me shtetet e BE-së nuk është e kënaqshme, por duhet të jemi edhe realist”, ka thënë Havolli.
Ai ka treguar se sot ka pasur takim edhe me drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ku janë dakorduar për të parë që të zgjidhen problemet që mund të zgjidhen nga SHSKUK-ja, siç janë kujdestaritë e ditët e vikendit.
Havolli ka treguar se është shqetësuese ikja e infermierëve për në Gjermani ndër të tjera.
Ai ka thënë se më tepër ikin infermierët sesa mjekët.
“Ka jashtëzakonisht shumë infermierë që po ikin. Më keq po mendojnë të largohen ata që kanë përvojë pune mbi 20 vjet, e lëre më të rinjtë që sapo e kanë përfunduar shkollimin. Më tepër largohen infermierë sesa mjekë”, ka thënë Havolli.
Havolli ka thënë se nëse ka këso degradime profesioni i infermierit, atëherë në të ardhmen do ta shqyrtonte edhe vet largimin.
“E kam thënë disa herë se do të sakrifikojë shumë vetëm që komuniteti infermieror të rruhet brenda vendit. Si profesion nëse ka degradime të tilla, shmangie të tilla të çuditshme, atëherë sigurisht në një të ardhme do ta shqyrtojë largimin, edhepse ende nuk e kam menduar të iki nga vendi”, ka thënë Havolli.