Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar vendimin për mbylljen e Kuvendit zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës për gazetarë dhe media.
Kuvendi zgjedhor i FFK-së do të mbahet nesër me fillim nga ora 11:00, ku pritet të zgjidhet kryetari për katër vitet e ardhshme, njofton Klankosova.tv.
Sipas FFK-së, nuk ka hapësira të mjaftueshme për gazetarët, por ky arsyetim po cilësohet si i paqëndrueshëm, pasi sipas tyre, ngjarje të ngjashme janë mbuluar edhe në të kaluarën nga të gjitha mediat e interesuara.
AGK-ja ka kërkuar nga FFK-ja që të rishqyrtojë vendimin dhe të lejojë gazetarët të kryejnë punën.
Reagimi i plotë:
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim vendimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për të mbyllur punimet e Kuvendit zgjedhor për gazetarë dhe media, të paraparë për 6 prill”.
Sipas njoftimit të FFK-së, vetëm një transmetues do të lejohet në atë hapësirë, por asnjë gazetar.
Arsyetimi i hapësirës është i paqëndrueshëm, pasi që ngjarje të ngjashme janë mbuluar edhe në të kaluarën nga të gjitha mediat e interesuara. Një mbyllje e tillë pamundëson raportimin profesional nga vendi i ngjarjes, për një ngjarje të rëndësishme dhe me interes publik”.
AGK-ja kërkon nga FFK-ja të rishqyrtojë vendimin dhe të lejojë gazetarët dhe mediat të kryejnë punën e tyre të papenguar.