Motra e Xhelal Sveçlës, Magbule Hyseni, është punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Magbule Hyseni është motra e Xhelal Sveçlës, ministrit të Punëve të Brendshme të shtetit. Ky fakt nuk do të përbënte lajm, nëse motra e Sveçlës nuk do të punësohej së fundmi në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Gazeta Insajderi raporton se e njëjta është angazhuar në pozitën Zyrtare për Rrjetin Kombëtar Rural dhe partnerët e tjerë socialë për përgatitjen e Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (PBZHR) në kuadër të Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
Ky projekt mbështet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe financohet nga kredia e Bankës Botërore.
Të dy këto institucione, Ministria e Bujqësisë dhe Banka Botërore e kanë konfirmuar punësimin e Magbule Hysenit në dikasterin e udhëhequr nga ministri Faton Peci, i emëruar nga kryeministri Albin Kurti.
“Znj. Hyseni ishte angazhuar në Departamentin e Politikave të Zhvillimit Rural/Autoriteti Menaxhues brenda MBPZhR-së”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë për Gazetën Insajderi.
Hyseni për këtë pozitë është zgjedhur nga Ministria e Bujqësisë, bazuar në procedurat e prokurimit të Bankës Botërore.
“Procesi i përzgjedhjes për stafin që punon në zbatimin e projektit është përgjegjësi e agjencisë zbatuese, në këtë rast Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, thuhet në përgjigjen e Bankës Botërore.
Komisioni Vlerësues për angazhimin e Hysenit, motrës së Sveçlës, është përbërë nga anëtarë të projektit dhe anëtarë të MBPZhR-së.
Ndërkaq, paga e saj në kuadër të projektit të Bankës Botërore që implementohet nga Ministria e Bujqësisë, është 423 euro, sipas koeficientit të paraparë në konkurs, ekuivalente me gradën 7 të Shërbyesit Civil.
Mbi krejt këto çështje, Insajderi e ka pyetur edhe Magbule Hysenin, por e e njëjta nuk ka kthyer përgjigje, ndonëse pyetjet në adresë të saj kanë shkuar para katër ditësh.
Projekti i Bankës Botërore, në të cilin është angazhuar Hyseni, ka për qëllim përmirësimin e produktivitetit dhe qasjes në tregje të përfituesve të projektit në nënsektorët e hortikulturës dhe blegtorisë në Kosovë dhe forcimi i kapaciteteve institucionale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Data e mbylljes së tij është më 30 qershor 2022.