Pas përvjetorit të masakrës së fshatrave Fortesë, Celinë, Krushë e Madhe, Brestoc, Opterushë, Retijë.
Sot më 31 mars u përkujtuan të vrarët e fshatit Pastaselë dhe Zatriq, ndersa më 2 prill përkujtohen të rënët në fshatin Hoçë e Vogël e Nagavc dhe më 12 prill në fshatin Pataqan shkruan ,Gazeta Papirus/
Postimi i kryetarit Smajl Latifi
23 vjet nga Masakra e Pastaselit
Në ditën e fundit të marsit të përgjakur të vitit 1999, ndodhi një prej krimeve më mizore nga kriminelët serbë në fshatin Pastasel të Rahovecit, ku u vranë 106 fëmijë, gra, pleq e burra të paarmatosur.
Banorë të Pastaselit, por edhe të fshatrave përreth, Guri i Kuq, Zatriq, Polluzhë, Kaznik, Kramovik, Çifllak, Senoc dhe nga komuna e Klinës, kishin gjetur vendstrehim në fshat për të shpëtuar veten dhe familjet e tyre nga krimet gjenocidiale serbe që kryheshin gjithandej Rahovecit dhe Kosovës.
Ajo ditë e përgjakshme fundmarsi, do të mbetet e pashlyer në kujtesën tonë, për krimet e llahtarshme që përjetoi populli ynë gjatë përpjekjeve për çlirim. Drejtësia dhe dënimi i krimeve të padënuara të 31 marsit 1999, do të jetë qëllimi ynë kryesor deri në realizim, për të qetësuar shpirtrat e familjeve dhe popullit tonë për humbjet e mëdha njerëzore.
Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve të luftës!
/Gazeta Papirus/