23 vjet më pare në Zonen Operative të Pashtrikut daten e 28 marsit 1999 ranë në fushen e nderit Shefki Thaqi dhe Enver Duraku, gjate luftimeve të ashpera të fund marsit 1999. Me këtë rast u bën Homazhe te vendi ku ishte i pranishem edhe zv.komandanti i Ushtrise së Kosovës gjeneralmajor Enver Cikaqi.
Më posht po ju sjellim fjalimin e kryetarit të komunës së Rahovecit, Smajl Latifi :
Homazhe për dëshmorët e atdheut, Enver E. Duraku dhe Shefki Thaçi.
Sot, në kodër të Ilirionit (Dobëdolanit) e cila 23 vjet më parë ishtë arenë luftimesh, përkujtojmë me përulje lavdinë e fituar të luftëtarëve dëshmorë të kombit, Enver Durakun nga Krusha e Madhe e Rahovecit dhe Shefki Thaçin nga Rogova e Hasit.
Përsëri erdhëm aty ku u përjetësua heroizmi i tyre me shokë, në një betejë të gjatë (8 ditë e 8 netë), të pabarabartë e të ashpër me forcat pushtuese serbe.
Në këtë zonë luftohej trimërisht, për liri.
Në këto male ideali i lartë i bashkëluftëtarëve trima, ndezi dritën e shpresës e cila nuk u fik kurrë, se liria në këtë truall pashmangshëm do të vijë nga trimat që luftonin me bishat e tërbuara serbe e që nuk njihnin frikën. Vijën e gjatë të frontit nga Semetishti e deri ne Shkozë, forcat tona çlirimtare e kthyen në fortesë të pathyeshme për forcat barbare të Serbisë pushtuese. Per 8 ditë e 8 netë, trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaluan depërtimin e ushtrisë serbe, e cila synonte përparimin drejt Pagarushës, ku ishte popullata civile dhe spitali i UÇK-së.
Ishin luftime të ashpra dhe të pabarabarta. Nderi i luftëtarëve tanë dhe betimi i tyre për të mos i lëshuar istikamet u dëshmuan në këtë vijë strategjike të frontit. Ishin nderi dhe heroizmi, qëndresa dhe rezistenca deri në vetmohim, që këto kodra e monopate i kthyen në ‘kala me bedena…’. Vetëm trimat që s’e njohin frikën përballen me zemër luani në këso luftimesh intensive e të ashpra.
Më 28 Mars 1999 do të bien në fushën e nderit, eprori i Brigada 126, luftëtar me përvojë të mirë e i dëshmuar në shumë beteja luftarake, Shefki Thaçi nga Rogova e Hasit. Shefkiun dhe Enverin, i bashkonte ideali i çlirimit dhe lufta për ta fituar atë. Kështu ishin bashkuar luftëtarët e lirisë nga venbanime e vise të ndryshme, për të bërë detyrën ndaj atdheut, që rënkonte nga dhimbjet e robërisë. Shefkiu ishte në llogore lufte, duke qëndruar pa u tundur me bashkëluftëtarët që po pengonin depërtimin e armikut në zonën ku strehohej popullsia e paarmatosur.
Kjo vijë luftimesh, malet i bëri të pakalueshme për armiqtë, por u desht që në rezistencë e sipër të bien trimat, të derdhet gjaku ynë. Në këto luftime për t’i mbajtur vijat tona, plagoset rëndë luftëtari Enver Duraku. Enveri, krahas studimeve në Universitetin e Prishtinës, vepronte që herët aktivisht në kuadër të LKÇK-së, më pas edhe si luftëtar i paepur i UÇK-së. Enveri u rrit me ndjenjën e zjarrtë të atdhedashurisë në familje dhe ishte shok me të gjithë ne, me ata që për luftën çlirimtare dhe lirinë e atdheut, ishin vigjilent e me syrin pishë dhe që të merrnin gjak në vetull, që nuk kishin asnjë fije dyshimi, se liria fitohet me grykën e pushkës. Plot si Enveri kishte Krusha e Madhe dhe jo vetëm ajo, ata ishin kudo, gjithandej. Ata po shtoheshin, ata ishin të zgjuar, në këmbë.
Ata po luftonin trimërisht, por edhe po binin ashtu, trimërisht e me lavdi. Po si ata ishte edhe shoku ynë Enver Duraku, i cili mbylli sytë më 3 prill, që nuk arriti t’u rezistoi plagëve të marra më 28 mars. Shokët e luftës e varrosin në fshatin Baicë te Drenasit. Më 27 mars plagoset Nexhat Cikaçi, e më 28 mars, plagë të rënda marrin edhe bashkëluftëtarët, Hamëz Kryeziu dhe Xhelil Thaçi nga Retia Rahovecit, Sabit Gashi nga Studenqani Suharekës, tani invalidë të luftës.
Në të njëjtën vijë të frontit, më 25 mars 1999 bien heroikisht Reshat Muçaj-Plumbi nga Vraniqi i Therandës dhe me 31 mars 1999, Hysni Morina nga Landovica.
Parasëgjithash është njerëzore të nderosh përpjekjet, mundimet, sakrificat dhe gjakun e bijve të popullit tonë. Nderimi dhe kujtimi ndaj të kaluarës na obligon të gjithëve pa dallim, sepse liria jonë e fituar mbi këto vuajtje, dhimbje, heroizma dhe sakrifica të mëdha, njëherësh është vepër e jashtëzakonshme për të gjallët, pra, vepër që na lanë amanet të rënët, e të cilën po e prekim dhe përjetojmë që të gjithë.
Prandaj, forcimi i lirisë së atdheut nuk arrihet dot, nëse na shlyhet kujtesa.
Mos harroni!!
Si kudo në trevat shqiptare, edhe mbi Ilirion (Dobërdelan) janë shenjat e nderit dhe të lavdisë. Ato janë vetë historia jonë e cila nuk guxon të harrohet nga ne.
Kujtimi i veprës së bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve është i përhershëm, sepse ideali për të cilin ata vepruan, luftuan dhe u flijuan ishte i lartë dhe është i pavdekshëm.
I përjetshëm është kujtimi për trimat!
Enver Duraku dhe Shefki Thaçi janë gurë të fortë e të pathyeshëm të Kalasë së Lirisë!
Lavdi dëshmorëve të kombit, Shefki Thaçi dhe Enver Duraku!
Smajl Latifi
Ilirion (Dobërdelan)
Më: 28 mars 2022
/Gazeta Papirus/
https://www.youtube.com/watch?v=Tq-ZbZ_uFHc&t=129s